Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me elektoratin e Gramshit kërkoi votën për të qeverisur vendin edhe 4 vitet që vijnë.
Për Ramën, e ardhmja e të rinjve duhet të jetë drejt Europës, dhe për këtë, një rol të madh luan arsimimi i tyre.
Ai u shpreh se çdo votë e dhënë ndaj Lulzim Bashës, është që të rilindë Republika e vjetër në emrin e të resë dhe të rigjallërohen dhe të dalin si kërpudhat kristalet, vitrinat, magazinat dhe llamarinat.
“Ata që duan më shumë të djathtën dhe Partinë Demokratike se sa fëmijët e tyre, le t’ia japin votën Lulzimit që të rilindë Republika e vjetër në emrin e të resë dhe të rigjallërohen dhe të dalin si kërpudhat kristalet, vitrinat, magazinat dhe llamarinat.
Shqiptarët duhet të kuptojnë se të votosh si patriot do të thotë që të drejtën e votës ta shikosh si detyrim sepse ditën e votimit çdo qytetar me të drejtë vote është anëtar i gjykatës së popullit që shkon të gjykojë të gjitha partitë në garë.
Atje nuk shkon si tifoz, por si patriot. Pavarësisht se çfarë bindjesh dhe partish; kë duhet të marrim në punë për të drejtuar Shqipërinë dhe për ta bërë shtet me punë dhe mirëqenie në 4 vitet e ardhshme.
Unë besoj se kushdo që ia bën vetes këtë pyetje gjen vetëm një përgjigje; të çon në kutinë e numrit 2. Nuk është rastësi që në këtë moment është bashkuar numri rendor i Partisë Socialiste me simbolin e Evropës që duam.
Demokratët ta kenë shpirtin në paqe. Duke votuar numrin 2, ato votojnë për ëndrrën e Shqipërisë si gjithë Evropa. Për ta ka rëndësi që Shqipëria që duam të jetë realiteti i fëmijëve tanë”-tha Rama.