Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ka propozuar në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë që në fund të çdo viti, të kenë një revistë të përbashkët, ku të bëhen publike të gjitha marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kryeministri Rama është shprehur se do të botohet një vepër me 10 vëllime, që do të përmbajë të gjithë korpusin enciklopedik të popullit shqiptar.
“Një vepër për t’u krenuar, sepse është një vepër e munguar prej shumë kohësh. Bëhet fjalë për një vepër e cila parashihet të jetë në 10 vëllime, të përmbajë të gjithë korpusin enciklopedik të popullit shqiptar. Më e pakta që mund të bëjmë ta mbështesim financiarisht. Kjo do të jetë e pavarur prej nesh. Do të jetë një punë e mendjeve të shkencës shqiptare dhe më vjen shumë mirë që këtu të sjell në vëmendjen e atyre që na ndjekin se ai takimi i zhvilluar me precenzën e akademikëve ka dhënë një produkt kaq të rëndësishëm”.
Rama i është kthyer propozimit për një Kuvend të përbashkët mes dy qeverive, në mënyrë që në fund të vitit të publikohet një revistë mes Shqipërisë dhe Kosovës. I referohet të gjitha marrëveshjeve, që të jenë të dokumentuara me informacion të detajuar.
“Do të doja t’i kthehesha propozimit për Kuvendin e përbashkët, me qëllimin që të organizohet për të nxjerrë në fund të vitit një revistë bashkëqeveritare ku të gjitha marrëveshjet të jenë të përshkruara me të gjitha rezultatet dhe pse jo me këndvështrimin kritik. Të gjithë ata që duan informacion të detajuar, ta kenë një pikë referimi dhe kështu ne krijojmë një revistë të përbashkët me të gjithë ecurinë e marrëveshjeve mes dy qeverive dhe gjithë volumin e angazhimit mes 2 shtetetve, si fletore zyrtare e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. Nëse Albini e aprovon dhe mund të kemi një botim dinjitoz që ta ndajmë me publikun e gjerë se cilat janë faktet e bashkëpunimit tone”.