Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka,teksa ka qenë i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në Neës24, foli për tensionet në parlament të seancës të së enjtes.
Ndoka ka qenë i ashpër në lidhje me kryeministrin Rama, ku dhe e ka akuzuar atë se parlamenti është fytyra e kryeministrit dhe se ky njëri është bërë i rrezikshëm për drejtimin e vendit.
“ Politikan problematik, në marrëdhëniet që ka krijuar me opozitën dhe njerëzit e këtij vendi. Rama e ka tejkaluar misionin e tij si politikan e kryeministër duke e vënë vendin në rrezik.
Parlamenti ka fytyrën e mazhorancës, dhe zënkat e përplasjet aty lidhen me Ramën dhe papërgjegjshmërinë e tij. Opozita është e detyruar të jetë aty përballë një kryeministri që thyen çdo ligj e etikë përballë qytetarëve.
Rama në mendësinë e tij ka modele komuniste, ai mendon që do qeverisi në mënyrë demokratike me qytetarët, i trajton qytetarët sikur flasin nga Siria nëpërmjet Skype-t. Në vend që të flasë drejtpërdrejtë me ta, bën interpelancë. Kjo është tallje e hapur. Kjo është edhe kosto për opozitën, e cila nuk gjen veten në atë parlament.
Fytyra e këtij parlamenti është fytyra e kryeministrit, nëse ai zbaton ligjet e respekton opozitën, do kishim një parlament normal,” tha Ndoka.