Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, dhe as të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Në një intervistë për “Corriere dela Sera”, Rama deklaron se opozita është në krizë. Sipas tij, opozita e sotme është më e dobët se në zgjedhjet e 2017.
“Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dhe kreu i Partisë Socialiste, nuk i mohon problemet e vendit. Për shembull, pranon se ka korrupsion. Ashtu si ekzistojnë gjykime të drejtuara nen praninë e rryshfeteve, ka pakënaqësi të të rinjve dhe trafik droge”, e nis shkrimin media italiane.
“Por qeveria ime po bën atë që askush tjetër nuk ka pasur guximin të bëjë, për të eliminuar këto sëmundje nga shoqëria”, thotë ai në një intervistë me Corriere.
Lidhur me dorëheqjen, Rama është shprehur si më poshtë:
“As nuk e çoj ndërmend. Kam një mandat të qartë nga populli, kemi një mazhorancë në Parlament, dhe në fund unë kam detyrimin përballë bashkëkombësve të mi. Nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e minorancës parlamentare. I vetmi detyrim është kontrata me popullin shqiptar, që na ka dhënë votën për të qeverisur”.
Partia Demokratike do të mbledhë në orën 10:00 grupin parlamentar, për të diskutuar mbi propozimin e një dite më parë të kryetarit të kësaj partie Lulzim Basha, për dorëzimin e mandateve të deputetëve.
Pas PD, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë mbledhje grupi në orën 13:00, për të njëjtën çështje.