Kryeministri Rama ka marrë fjalën në mbledhjen e Bashkisë së Tiranës, nga ku u zgjodh edhe kreu i ri i Këshillit, Toni Gogu. Shefi i qeverisë në fjalën e tij tha se Këshilli Bashkiak i shkuar ka qenë peng i konfliktit politik. Më tej ai ka shtuar se në datën 30 qershor, banorët e kryeqytetit votuan për të drejtën, e jo thjesht për të majtën.
“Në 30 qershor banorët e Tiranës votuan për të drejtën, jo thjesht për të majtën. Dua t’iu nxis që të hartoni një plan të ri komunikimi, si përfaqësues të komuniteteve dhe të njësive Bashkiakë në këtë Këshill të vogël.
Kjo që çelet sot duhet të jetë një fazë e re edhe e platformës sonë së bashkëqeverisjes më njerëzit”, tha Rama.
Më tej kryeministri u shpreh se dëgjimi i njerëzve të zakonshëm dhe angazhimi për t’i bërë pjesë e qeverisjes, është parësore.
“Është e papranueshme që kontributi i Këshillit Bashkiak të jetë vetëm pjesëmarrja në mbledhje.
Është e pakuptimtë dhe e pajustifikueshme që këshilltarët të mos njohin çdo pëllëmbë dhe familje të zonës, të mos jenë pika e referimit të çdo banori që ka nevojë të kontaktojë me përfaqësuesin e vet bashkiak.
Qeveria dhe Bashkia kanë punuar mirë, por ka vend për të punuar edhe më mirë.
Bilanci deri këtu është pozitiv, por nevojat janë shumë dhe nevojat e njerëzve janë shumë më shumë”, tha Rama.