Një ditë më parë, Rama mblodhi Këshillin e Ministrave, duke mbajtur fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës. Këtë rrugëtim 4-vjeçar të ekzekutivit, ai e ka konsideruar si pozitiv, ndonëse u has me dy sfida të mëdha; atë të tërmetit dhe pandemisë. Qeveria e re “Rama 3” do të prezantohet javën e ardhshme.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama zbuloi se një pjesë e ministrave aktualë, nuk do të jenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar, të cilët i falenderoi që ka bashkëpunuar, ndërkohë që zbuloi se qeveria e re “Rama 3” do të bëhet publike javën që vjen.
Sipas tij, qeveria e re kërkon energji, dhe për këtë arsye ai është kujdesur që të caktojë emra që përmbushin këtë kriter. “Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme, dhe ju normalisht do të vijoni punën deri në minutën e kalimit të detyrës pa lënë asnjë minutë të shkojë kot. Fatmirësisht kemi një skuadër kampione, ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit, kërkon një kryesi efektive dhe një stol rezervash për të pasur mundësi për energjizimin e skuadrës”, deklaroi ai.
Najada Çomo hoqi dorë nga mandati i deputetes, pritet ta marrë Mimi Kodheli
Najada Çomo hoqi dorë nga mandati i deputetes, ndërsa pritet që në vendin e saj në parlament, të zëvendësohet nga Mimi Kodheli. Sipas kodit të ri zgjedhor, nëse një deputet që i përket shtresës më pak të përfaqësuar në Parlament, në këtë rast gratë, lë mandatin, ky mandat i shkon një tjetër kandidati të po kësaj shtrese, në bazë të votave të mbledhura.
“Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar. Në këtë rast, plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”, thuhet në Kodin Zgjedhor. Kodheli renditej e 21 në listën e PS në Tiranë, që në total ka 36 mandate deputetësh, ndërsa mundi të marrë 5597 vota.
Erion Braçe paralajmëron largimin nga qeveria
Në kohën kur javën e ardhshme do bëhen publik emrat e qeverisë “Rama 3”, zv.kryeministri Erion Braçe ka paralajmëruar largimin nga qeveria. Me anë të një video shumë domethënëse, në një nga paslëkundjet shumë të forta pas tërmetit të 26 nëntorit, ku Braçe shfaqet duke qetësuar qytetarët e tmerruar, ai është shprehur se tashmë “ka ardhur fundi”, duke thënë ndihet i nderuar që u ka shërbyer njerëzve në nevojë përgjatë 24 viteve.
“Ka një fund! I nderuar që shërbeva për njerëzit në nevojë! Në ditët e tyre më të vështira në 24 vitet e fundit. Pas çdo pune të kryer, vepre të ndërtuar nuk jam unë, janë punëtorët! Mijëra që punuan, ndërtuan, ndryshuan Divjakën dhe fshatrat”, shkruan Braçe.
Braçe u bë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste në vitin 1994. Midis 1997-2001 ai ishte anëtar i Komisionit për Ekonomi, Financa dhe Privatizim. Braçe është zgjedhur si anëtar i Kuvendit shqiptar për gjashtë legjislatura, dhe më parë ka shërbyer si Kryetar i Komisionit për Ekonomi dhe Financa, teksa u emërua Zëvendëskryeministër më 28 dhjetor 2018 dhe u konfirmua me një dekret presidencial në 4 janar 2019.
Emrat që pritet të ikin
Kreu i qeverisë paralajmëroi furtunë në radhët e ministrave, sinjale këto që dolën në pah nga mënyra kur skanoi punën e çdo ministri. Rama ka shfaqur kritika për dy sektorë në veçanti, atë të Turizmit dhe të Arsimit, duke lënë të nënkuptohet se ministrat Evis Kushi dhe Blendi Klosi janë dy më të rrezikuarit për të qenë pjesë e qeverisë “Rama 3”.
Rama tha se pati probleme me menaxhimin e plehrave në zonat turistike dhe administrimin e plazheve.
“Fatkeqësisht, pandemia dhe hallet e mëdha që erdhën me të dhe tërmetin bashkë nuk na dhënë mundësinë të investojmë aq sa do të donim në drejtim të fuqizimit të ofertës sonë turistike. Prandaj mbetet për më tej që ta bëjmë këtë, duke e mbajtur mirë shënim dhe çka nuk arritëm të bënin sa dhe si duhet për mangësitë tona, ende të konsiderueshme, në aspektin cilësor të sezonit turistik si përshembull, plagën ende të hapur, në disa raste edhe kutërbuese, të plehrave dhe të papastërtisë në zonat turistike, ku duhet ndërruar qasja dhe përqendruar energji e forca shumë më të mëdha.
Pa harruar administrimin e plazheve që në këtë sezon la jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar. Por edhe të tjera mangësi akoma që duhen administruar me qartësi, me shpejtësi, me këmbëngulje dhe me shumë vendosmëri më tej. Padiskutim, po të kthejmë kokën mbrapa, nuk ka asnjë krahasim të mundshëm në këtë fushë jo me tetë, por as me katër vjet më parë dhe për këtë mjafton të shikosh ndryshimin rrënjësor të interesit dhe të tonit të mediave prestigjioze ndërkombëtare për Shqipërinë turistike.
Ashtu sikundër nuk ka fare diskutim që krahasuar me tetë vjet më parë, kur ishte një vend i mbytur nga plehrat dhe papastërtitë ngado ktheje kokën, Shqipëria e sotme është shumë më ndryshe, falë punës së madhe që kemi bërë në këtë drejtim. Ama, për t’u bërë kampionët e padiskutueshëm të Ballkanit në turizëm në fund të kësaj dekade, duhet një shumëfishim domethënës i luftës për mbrojtjen e mjedisit, ku fushat e grumbullimit primitiv të plehrave lart e poshtë dhe ndotja shqetësuese e ujërave dhe ajrit për shkak të tyre janë vetëm pjesa më e dukshme e problematikës mjedisore të Shqipërisë së sotme”, u shpreh Rama.
Në fushën e arsimit tha se ka ende për të bërë, si në arsimin parauniversitar dhe në arsimin e lartë.
“Kjo qeveri ka çuar më tej punën e madhe të bërë gjatë mandatit të parë për reformimin e arsimit dhe për përmirësimin e kushteve të arsimimit, ku ende një det i tërë na ndan sidoqoftë, për hir të së vërtetës, në realizimin e ambicies sonë për Shqipërinë arsimore. Por jam vërtetë krenar që disa plagë të tmerrshme, në dukje të pashërueshme përgjithmonë në organizmin e arsimit tonë parauniversitar, që nga rekrutimi partiak i mësuesve e deri tek tekstet e panumërta jashtë standardeve, apo hyrja në universitete sipas xhepit, mikut apo partisë, i përkasin përfundimisht të shkuarës, falë kësaj qeverie.
Ashtu sikundër nuk jam aspak krenar për gjendjen tërësore të universiteteve, të cilën do ta adresojmë me shumë punë, me shumë durim, në bashkëpunim të ngushtë me rektorët, duke synuar njëkohësisht në vijim, përfshirjen sa më shumë në arsimin tonë të lartë të universiteteve publikë ndërkombëtare.
Nuk jam aspak krenar po ashtu për gjendjen aktuale të lëvizjes sportive shkollore apo universitare, e cila pavarësisht disa hapave të bërë, krahasimisht me kohën kur ne erdhëm në qeveri, është realisht shumë nën nivelin e mundësive tona reale, prandaj do merremi shumë posaçërisht me këtë, si dhe me aspektet kulturore të jetës së të rinjve dhe fëmijëve tanë. Është e pajustifikueshme më tutje që fëmijët e vegjël të mos kenë një vëmendje shumë më të madhe, që edukatoret e kopshteve dhe çerdheve të mos paguhen pse jo njësoj si mësuesit e gjimnazeve apo dhe më shumë, që zhvilluesit e resorteve turistike apo të tjerë në botën e sipërmarrjes të mos detyrohen të mendojnë për fëmijët, në radhë të parë.
Patjetër edhe për kulturën kemi bërë jo pak edhe në këtë mandat të dytë, qoftë me shpëtimin dhe rivlerësimin e monumenteve tona të trashëgimisë kulturore, qoftë me angazhimin për zgjerimin e hapësirave kulturore me cilësi e me standarde krejt të tjera, por shumë më tepër do bëjmë me realizimin e projektit të bllokut të ri të Galerisë Kombëtare, me realizimin e projektit të Teatrit të ri Kombëtar, me realizimin e projektit të Qendrës së re Teatrore të Fëmijëve në Tiranë, të cilat janë në rrugë e sipër, si dhe me projekte të tjera të vogla, por me rëndësi të madhe në disa qytete të tjera, kryesisht ato me potencial të lartë turistik”, tha më tej Rama. /TIRANA TODAY