Presidenti Ilir Meta ka falënderuar ambasadën shqiptare në Greqi, për korrektësinë e treguar lidhur me situatën në Kakavijë.
Përmes një postimi në Facebook, Meta i kërkon ndjesë qytetarëve që u detyruan të prisnin me ditë në radhë për të kaluar kufirin.
Më tej, kreu i shtetit fajëson kryeministrin Rama për këtë situatë, teksa thotë se ai po pushon “për shtatë palë qejfe”.
“Falënderoj autoritetet greke për korrektësinë e tyre! Falënderoj Ambasadën e Shqipërisë në Greqi, që ka kryer me korrektësi shembullore paralajmërimin e menjëhershëm të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, ende në detyrë, z.Rama. Edhe njëherë NDJESË TË GJITHË BASHKËQYTETARËVE TANË, të cilët hoqën vuajtje çnjerëzore sepse Ministri ynë i Jashtëm, i cili është edhe Kryeministër, po pushon për shtatë palë qejfe”, shkruan Meta.
Kriza në Kakavijë mori fund mbrëmë në mesnatë, ku deri në orën 1 të mëngjesit kanë kaluar gati 3300 persona dhe gati 1600 mjete, të cilat ishin duke pritur në radhë për ditë të tëra.