Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim me ambasadorët e Shqipërisë në botë, me të cilët ka qenë mjaft i qartë, teksa u ka kërkuar që të bëjnë punën e tyre dhe ta promovojnë Shqipërinë para investitorëve të huaj.
Në aktivitetin me temë “Ridimensionimi i Diplomacisë Ekonomike Shqiptare: Sfida dhe Mundësi”, në Tirana Business Park, kreu i Qeverisë tha se është mjaft i rëndësishëm promovimi dhe zgjerimi i eksporteve dhe njohja e Shqipërisë si destinacion turistik gjatë të gjithë vitit.
“Çdo ambasador duhet të kuptojë rëndësinë e madhe të rolit të tij, me një rëndësi të veçantë është edhe rritja e eksporteve.
Ka një rritje të interesit për investimet në turizëm dhe në energji. Do të ketë një plan konkret për të zhvilluar marrëdhënien me Diasporën. Është e rëndësishme që në funksion të kësaj qasje të re për ta vendosur shërbimin e jashtëm në dispozicion të investimeve.
Duhet të nxisim të tjerët për potencialet që ofron vendi ynë. Ka një rritje të ndjeshme të interesit për të investuar në vendin tonë posaçërisht në turizëm, padyshim edhe në sektorin e energjisë apo të naftës, çka ka ndodhur edhe më parë. Besoj se ne duhet të fokusohemi fort tek turizmi dhe të ngjallim interes tek investitorët e huaj, për të shfrytëzuar këto potenciale
Unë besoj që me disa objektiva të qarta, me vullnetin për ta bërë këtë ndryshim së bashku, jam i bindur që kjo përpjekje e përbashkët do të sjellë ndikim në përmirësimin e imazhit të vendit. Shqipërinë duhet ta shohin si një vend të rëndësishëm dhe jo rreziqesh imagjinare. Nuk është më fjala për një treg të vogël si Shqipëria, por rajonal”, tha kryeministri Rama.