Nga Gordon Brown “The Guardian”
Nuk duhej të ishte kështu, por një nga javët më shkatërruese në historinë e mjekësisë dhe ekonomisë globale, ka përfunduar me vendet që janë izoluar tërësisht me veten e tyre. Ato janë duke zhvilluar betejat e tyre individuale kundër koronavirusit, dhe sipas mënyrës së tyre.
Natyrisht çdo vend ka sistemet e veta shëndetësore mbi të cilat mbështetet, e vlerëson situatën me ekspertët e tij mjekësorë, dhe sëmundja është në fakt në faza të ndryshme në secilin prej tyre.
Por pse nuk ka ende asnjë projekt mjekësor të koordinuar në nivel ndërkombëtar, të ngjashëm me Projektin Manhatan gjatë Luftës së Dytë Botërore, që të mobilizojë të gjitha burimet e mundshme globale, për të zbuluar një vaksinë ndaj koronavirusit, dhe për të pasur sa më parë një kurë?
Pse, pasi kjo sëmundje ka prekur më shumë se 100 vende, nuk ka ende një qasje globale të koordinuar, të qëndrueshme, jo vetëm të gjurmimit, testimit dhe udhëtimeve, por edhe për mësimin nga njëri-tjetri mbi sukseset relative të përvojave të karantinës dhe distancimit social? Dhe pse, kur tani bota kërcënohet nga një recesion ekonomik, s’ka akoma një përpjekje për një përpjekje të kombinuar nga ana e qeverive dhe e bankave qendrore, për të reaguar në mënyrë globale?
Përkundrazi, e jona është një botë e përçarë, pa lidership, dhe ne të gjithë po vuajmë prirjen për ta përballuar këtë krizë vetëm: një fshehje fillestare e epidemisë në Wuhan; raportimi i vonuar i Kinës para bashkësisë ndërkombëtare; OBSH e mori lehtë duke deklaruar në fillim se kriza ishte “e moderuar”.
Dikur thuhej se Burbonët nuk do të mësojnë kurrë nga gabimet e tyre. Prej shekujsh, udhëheqësit kombëtar duket se nuk janë ende në gjendje të zbatojnë apo edhe të përvetësojnë leksionin e fituar me shumë vështirësi që na mësojnë krizat, nga epidemia e SARS-it, ajo e Ebolës dhe deri tek kriza financiare e 2008-ës:që problemet globale, kërkojnë një përgjigje globale, dhe jo vetëm lokale dhe kombëtare.
Në ditët e mia të para si kryeministër në vitin 2007, qeveria laburiste u desh të përballej me një sulm të madh terrorist, përmbytjet në disa pjesë të vendit, me epideminë e Gripit të Shpendëve, dhe me fillimet e krizës financiare globale. “Ka dekada kur nuk ndodh asgjë. Por ka javë kur ndodhin dekada”, shkroi dikur Lenini.
Ato sfida të njëpasnjëshme më mësuan se qeveritë e humbasin me shpejtësi kontrollin e situatës, përveç rasti kur i heqin të gjitha pengesat për të arritur në rrënjën e problemit, dhe më pas për të ecur përpara me zgjidhje të forta dhe të vendosura.
Por kriza financiare globale, na mësoi gjithashtu se ndërsa kemi nevojë për analiza dhe këshilla nga organizata të ekspertëve si Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe tani OBSH, ju keni ndërkohë nevojë dhe për udhëheqës politikë në çdo kontinent, që kanë kurajën jo vetëm për të udhëhequr, por dhe për bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
Dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është në një forum global. Në vitin 2008, ky ishte grupi i liderave të vendeve të G20, brenda të cilit mund të bien dakord për vendimet. Por çfarë dialogu ka sot mes lojtarëve kryesorë globalë presidentëve Xi, Trump, Mun të Koresë së Jugut dhe kryeministri italian Konte, për të përfituar nga përvojat e njëri-tjetrit me karantinat dhe distancimin shoqëror?
Merrni çështjen e testimve:ndërsa Britania është përpara Amerikës së Trump, deri më 10 mars ajo kishte testuar më pak se gjysmën e normës që ka testuar aktualisht Italia. Dhe vonesat në testime, shpjegojnë faktin se frika po rritet ende për sigurinë tonë.
Sigurisht, vetë ideja e bashkëpunimit global, bie ndesh me idetë e “Amerika e Para”, “Kina e Para”, “Rusia e Para” nacionalizmi populist është duke e përçajë botën tonë. Që prej pikës më të lartë të bashkëpunimit në vitin 2009, nacionalistët kanë qenë kudo në ngjitje, duke mbyllur kufijtë, kapur imigrantët dhe vendosur tarifa tregtare ndaj vendeve të tjera.
Për më tepër, ky nacionalizëm i tipit ”ne kundër atyre”, ka shkaktuar një kulturë fajësie, me qeveritë që janë nën presion dhe fajësohet për çdo gjë që shkon keq. E megjithatë, ideologjia e “gjithsecili për veten”, nuk do të funksionojë kur shëndeti i secilit prej nesh varet në mënyrë të pashmangshme nga shëndeti i të gjithëve.
Në krizën financiare, qeveritë u bënë bashkë, me uljen e koordinuar të normave të interesit, stimuj fiskalë, dhe marrëveshjet anti-proteksioniste. Një dekadë më vonë, nacionalizmi në rritje po bllokon bashkëpunimin mes bankave qendrore. Gjithsesi, unë besoj se është ende e mundur një përgjigje globale ndaj situatës aktuale.
Çdo vend duhet të angazhohet për heqjen e bllokimeve në zinxhirët e furnizimit; dhe të jetë i gatshëm të lehtësojë tarifat; të zgjasë kohën e pagesave të kredive, të ngrijë pagesa tatimore të biznesve, dhe të garantojë mbështetje financiare për punëtorët që po qëndrojnë në shtëpi. Dhe aty ku vendet nuk kanë mundësi që ta bëjnë këtë, mund të ndërhyjë me ndihma FMN dhe Banka Botërore ashtu si në vitin 2009.
Por shoku ekonomik me të cilën përballemi sot, kërkon një mendim inovativ që është më në përputhje me epokën tonë dixhitale. Një politikë industriale, mund të përshpejtojë revolucionin që po ndodh në vendin e punës:nga marrja e vendimeve të biznesit përmes telekonferencave, deri në sigurimin e arsimimit në internet, shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera.
Në këtë mënyrë, miliona njerëz do të lejohen të vazhdojnë të punojnë, studiojnë, organizojnë jetën e tyre, por edhe të sigurojnë jetesën nga shtëpia. Por asnjë nismë individuale nuk do të zëvendësojë një deklaratë kolektive, qeveritë e botës do të bëjnë gjithçka që kërkohet përmes një pune të përbashkët.
Koronavirusi nuk do të jetë pandemia e fundit, dhe as më e keqja. Por nëse Projekti Manhatan mundi të bashkojë njerëzit në vitet 1940, për të krijuar armën më vdekjeprurëse në historinë njeriu, me siguri që mund të bashkohemi edhe sot në shekullin XXI, për të shpëtuar jetët dhe jetesën e miliona njerëzve./TIRANA TODAY
Shënim: Gordon Brown, ka qenë kryeministër i Britanisë së Madhe në vitet 2007-2010.