E martë, 27 Korrik, 2021
32.5 C
Tirana

Pse shqiptari mjaftohet vetëm me një çapë bukë

TIRANA TODAY

Rituali i shit-blerjes së votës gjatë viteve të tranzicionit, vënia e interesave të vogla për të mos rrezikuar bukën e gojës, mbi interesin e nëpërkëmbur publik, dhe apatia shqetësuese ndaj çdo lloj abuzivizmi skandaloz të pushtetarëve kombëtarë dhe lokalë, gjejnë jehonë tek një artikull i mendimtarit dhe publicistit të njohur të viteve 1920-1930, Vangjel Koça. Edhe pse i shkruar 84 vite të parë, ai është mjerisht ende shumë aktual për Shqipërinë e sotme…  

“Krodha e bukës”, ideali i vetëm i shqiptaritNga Vangjel Koça, Viti 1934

Shqiptari ka parime për jetën e tij vetjake, për jetën familjare, po nuk ka dhe nuk çmon parime për atë që thuhet “interes i përgjithshëm”. Kjo gjë rrjedh edhe nga fakti se Shqiptari përmes kaq shekujve robërie u mbyll në veten e tij, në familjen e tij, dhe nuk pati raste që ta derdhë këtë “ego” në sheshin altruistik të interesit të përgjithshëm.

Prandaj psikosinteza e shqiptarit është e ngushtë, egoiste, nuk e njeh dhe nuk e ndjen gëzimin e altruizmës; i mungon elementi i përgjithësimit, fuqia e abstraksionit, që i japin jetës një kuptim totalitar.

Po të ketë ndonjë shqiptar që për fat të keq, të tillë shqiptarë janë shumë të paktë sot!- dhe që të ketë të tilla parime, të përpiqet për to dhe të sakrifikohet për to, menjëherë do të shohësh njerëzit të tundin kokën dhe të thonë:

-Mirë se ç’pësoi! Ç’i duheshin atij këto gjëra? Nuk shikonte punën e tij, dhe të hante një “krodhë bukë?”

Krodha e bukës”, është “puna” e vetme e shqiptarit sot. Në këtë “krodhë”, qëndron sot tërë ideali i jetës. Një çikë sikur të rrezikohet ose të humbasë kjo “krodhë”, shqiptari e quan vetveten të humbur. Interesi i përgjithshëm për shqiptarin është një “res nullius”, dhe prandaj është një gjëmë e madhe të humbasë “krodhën” për një gjë që s’është e asnjeriut.

Për këtë shkak shqiptari, si kolektivitet, nuk çau kokën as për çlirimin e tij nga skllavëria turke, çlirim për të cilin romancierët e historisë dhe pseudoromantikët e nacionalizmës le të më japin leje të shpall këtu një herezi. Vetëm pemë e përpjekjeve të pak shqiptarëve, si edhe e lodrave të interesave politike të huaja, ndryshuan fatin e Shqipërisë.

S’më dalin akoma nga mendja fjalët që dëgjova atëherë nga shumë gojë të popullit, kur Qeveria turke zuri një komit shqiptar dhe xhandarët e shkonin nga mesi i pazarit që ta shpinin në “hapsanë”. -Edhe ky “spurdhik” të matet me një goxha Dovlet? S’i japin një dru të mirë që të vërë mend?

“Spurdhiku” i shkretë që vuante për një “interes të përgjithshëm”, nuk shkëputetë as ndonjë simpati, nuk kish as ndonjë kuptim për mendjen e popullit, në sytë e të cilit vlente vetëm një “dru të mirë”! Po në këtë gjë nuk mbetën shumë pas edhe ata që populli i quan “intelektualë”, njerëzit që kanë kapërcyer prakun e ndonjë shkolle të madhe a të vogël, dhe e kanë stolisur qafën e tyre edhe me kravatë.

Nga këta “intelektualë” ka njerëz që kanë haber nga parimet, përpiqen për to, po qëndrojnë menjëherë në prakun e sakrificës. Kur shohin të tjerë që përpiqen dhe e pësojnë, thonë menjëherë me mendjen e tyre:

-Bravo! Po më mirë që s’u ndodha edhe unë! Ç’më lypej mua ky “kukurec”!

Nga njëra anë: “bravo” për parimet, po në një kohë e sipër nga ana tjetër edhe “kukureci” për lëkurën e vet. Kjo dualizmi tragjike e shpirtit të “intelektualit” shqiptar, është për të vajtur dhe të vë në mejtime. Është trashëgim i shpirtit të popullit, po me një tendencë të dobët edhe për “interesin e përgjithshëm”.

Një simptomë e mirë për të nesërmen shqiptare, po një akuzë e rëndë dhe e drejtë për brezin e sotëm. Për kët brez është edhe përfundimi i asaj filozofime, e cila loz me idetë dhe më në fund tallet me mendimin. Sot mbretëron moda e filozofisë së kontigjentizmës, domethënë e filozofisë “nga fryn era”!

Adhurimi i verbër i ngjarjes, mburrja e tepërt dhe servile e suksesit, admirimi për çdo gjë të jashtme formale e pa vlerë, robërimi në pasionet më të dobëta, kulti shtazarak i violencës, gjahu i ethshëm i floririt dhe i nderimeve, mosinteresimi dhe përbuzja për vlerën dinamike të ideve dhe për fuqinë morale të parimeve. Por që të ndryshoj jeta shqiptare, dhe ta vëmë atë në udhën e një fati më të lartë e më të ndritur, duhet që vendin e pemëve të sipërme të filozofisë “nga fryn era”, ta zëmë me disa të vërteta qendrore, me disa porosira morale themelore të përjetshme, në të cilat njihen popujt e qytetëruar, dhe të cilat janë pema e një edukate të tërë edhe e dramës mijëvjeçare të historisë.

Lartësia e vërtetë nuk arrihet pa dritën ideale të parimeve morale, të cilat janë për ndërgjegjjen si ylli që është për detarin. Të shartojmë, në brezat e nesërm besën për parimet, luftën për parimet, sakrificat për parimet, kundër mohimeve dhe shtrembërimeve të oportunistëve të jetës dhe të parimeve false. “Krodha e bukës”, duhet të bëhet “spurdhiku” që matet me një goxha Dovlet:me Dovletin shpirtëror mëkatar, që na ka lënë trashëgim e shkuara jonë historike”.

Botuar më 1934

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Procesi i demontimit ende vazhdon

Nga Mentor Kikia Dy zv ministra pozojnë para një makinerie që pret, shkatërron apo demonton, armët e periudhës së komunizmit. Për vite me radhë vazhdojmë...

Meta: Zbrazja e Shqipërisë po kthehet në një fatkeqësi kombëtare

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me shpopullimin e vendit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan...

Raporti i OSBE për zgjedhjet e 25 prillit, reagon delegacioni i BE në Shqipëri

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, ka reaguar pas publikimit të raportit final nga ana e OSBE-ODIHR, për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Sipas...

BE: 70% e qytetarëve të vaksinuar me së paku një dozë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se 70 për qind e qytetarëve të rritur të BE-së kanë marrë së paku një...

Emri/ Kush është personi i dyshuar për trafik droge, që i shpëtoi policisë

Zbardhet emri i personit i cili arriti që t'i shpëtonte operacionit të policisë ditën e sotme, në zonën e ''Varrit të Bamit'' në kryeqytet,...