Nga Amy Mackinnon “Foreign Policy”
Mëngjesin e të dielës së shkuar, Alexei Navalny, figura kryesore e opozitës ruse, u dërgua me urgjencë në spital. Pasi pati një reaksion alergjik, për të cilin një nga mjekët e tij tha se mund të jetë shkaktuar nga një substancë kimike e panjohur.
Lajmi shkaktoi një alarm të menjëhershëm, në një vend që ka një histori të gjatë të helmimit të disidentëve dhe dezertorëve. Fakti që njerëzit nxituan të akuzojnë për këtë ngjarje autoritetet ruse, është dëshmi e numrit të madh të kritikëve të Kremlinit. Të cilët janë sëmurur papritur dhe madje kanë vdekur, pasi kanë rënë në kontakt me substanca kimike misterioze.
Ajo ngriti më shumë se sa disa pikëpyetje të thjeshta, nëse Kremlin qëndron vërtet pas gjithë këtyre incidenteve. Një shpjegim i mundshëm, është se helmi i jep Kremlinit mundësinë të mohojë përfshirjen e vet në ngjarje të tilla. Edhe pse ato ndikojnë shumë në ndjeshmërinë e publikut, thotë Mark Galeotti, bashkëpunëtor në Institutin e Shërbimeve Mbretërore.
“Një nga ‘virtytet’ e mëdha të helmit që përdoret për një vrasje politike, është aftësia e tij për të kombinuar mohimin e autorësisë së krimit, me një teatralitetet të neveritshëm. Edhe pse vrasësi mohon çdo rol, mbase edhe me një buzëqeshje të shtirur, viktima pëson një vdekje të tmerrshme dhe shpesh pas një agonie të gjatë. Pra një mesazh në një shishe helmi”- shprehet ai.
Efektet e helmimeve të dyshuara nga dora e Moskës, kanë ndryshuar rrënjësisht, nga Alexander Litvinenko, që u helmua për vdekje me izotopin e rrallë radioaktiv polonium-210, deri tek shpërfytyrimi i përhershëm i ish-presidentit të Ukrainës Victor Yushchenko.
Çështja se kush e urdhëroi apo e kreu helmimin e Yushchenko, një politikan pro-perëndimor, nuk ka marrë ende një përgjigje të plotë, por dyshimet ranë menjëherë mbi shërbimet ukrainase dhe ruse të sigurisë ukrainase. (Kundërshtarët e tij, pretenduan se ai pati një reaksion nga konsumimi i sushit).
Të tjerët mbijetuan për të treguar vetë historinë, siç është aktivisti rus pro demokracisë, Vladimir Kara-Murza, që i ka shpëtuar 2 helmimeve të dyshuara. Por Kara-Murza, thotë se mjeku i tij e ka paralajmëruar që ai me gjasë, nuk do t’i mbijetojë dot një tentative të tretë.
“Kremlini ka një histori të gjatë dhe të shëmtuar të frikësimit dhe vrasjes së atyre, që i sheh si një kërcënim për shtetin”- thotë John Sipher, që ka punuar 28 vjet me CIA-n, gjatë kohës që shërbente në ambasadën amerikane në Moskë në vitet 1990, dhe që më vonë ka drejtuar operacionet e agjencisë në Rusi.
“Gazetarët, figurat e njohura të opozitës, rusët e zëshëm jashtë vendit, dhe të tjerët, duhet të jenë gjithnjë të vetëdijshëm, se Kremlini nuk i sheh ata si qytetarë të lirë”- thekson ai. Përtej efektit të tij frikshëm, natyra amorfe e helmimit i jep Moskës një fasadë të hollë besueshmërie në mohimet që bën në raport me rolin e saj në këto ngjarje, diçka që është shndërruar në një gurthemeli të akteve keqdashëse të autoriteteve ruse vitet e fundit.
Nga ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016, tek lufta në Ukrainën Lindore, autoritetet ruse kanë qenë tepër të kujdesshme për të fshehur qëllimet e tyre përmes grupimeve të mbështetura prej tyre:grupime rebele, biznesmenë të lidhur me Kremlinin, dhe “idiotë të dobishëm”.
Ndonëse lidhjet e tyre me këta lojtarë janë ekspozuar, Moska vonon hetimet, shkakton konfuzion dhe i ka lënë demokracitë perëndimore në mëdyshje, se si të reagojnë ndaj Moskës në mungesë të provave kokëforta për krimet e saj.
U deshën më shumë se 8 vjet, dhe një fushatë e palodhur nga e veja e tij, para se autoritetet britanike të rihapnin hetimet mbi helmimin e Litvinenkos, që në vitin 2016 arriti në përfundimin se vrasja e tij ishte “ndoshta” e urdhëruar personalisht nga presidenti rus Vladimir Putin.
Një arsye tjetër e këtyre helmimeve, mund të jetë më e thjeshtë: përvoja. Kremlini i ka përdorur gjithmonë metoda të tilla, thotë Galeotti. Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik këmbënguli shumë në prodhimin e helmeve të reja si një mënyrë për të eliminuar armiqtë, si dhe ndërmori kërkime për të cilat ekspertët besojnë se mund të vazhdojnë ende sot.
Laboratori nr.12 në periferi të Moskës, u krijua me urdhër të udhëheqësit sovjetik Vladimir Lenin në vitin 1921. Ai nisi të merrej me kërkimet dhe prodhimin e helmeve, drogave dhe substancave psikotrope. Të testuar mbi njerëz realë, helmet u përdorën vazhdimisht kundër zërave opozitarë përgjatë Luftës së Ftohtë.
Ndoshta asnjë incident nuk është më famëkeq se sa vrasja e Georgi Markov, disidentit bullgar që vdiq pasi u shpua nga maja e helmuar e një ombrelle në Urën Vaterlo në Londër. “Nëse ke në dispozicion një armë, do të tundohesh që ta përdorësh atë”- tha Galeotti.
A i përshtatet këtij modeli, edhe rasti i helmimit të Navalny? Ai do t’i përshtatej me siguri modelit të dikujt, që Kremlini do të donte ta frikësonte, pse jo edhe të vriste. Ai u arrestua javën e kaluar, dhe u dënua me 30 ditë burg, pasi u bëri thirrje njerëzve të marrin pjesë në protestat antiqeveritare në Moskë.
Mijëra njerëz protestuan të shtunën e shkuar, kundër vendimit të autoriteteve zgjedhore, për të mos lejuar garimin e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet lokale për këshillin e qytetit të Moskës, që mbahen në muajin shtator. Më shumë se 1.000 njerëz u arrestuan, në ndonjë rast edhe me dhunë, në një nga reagimet më brutale të viteve të fundit.
Pasi gjendja e tij shëndetësore u përmirësua, Navalny u rikthye në qelinë e tij në burg. Në një postim në blogun e tij publikuar atë mbrëmje, ai akuzoi autoritetet ruse për helmimin e tij. “A janë vallë kaq idiotë, sa të helmojnë në një vend, ku dyshimet mund të bien vetëm mbi ata?”- shkroi ai, përpara se të rendiste emrat e opozitarëve të tjerë rusë, që dyshohet se janë helmuar.
“Djemtë e sotëm që janë në pushtet në Rusi, janë realisht budallenj dhe të çmendur”- theksoi më tej ai. Deri tani nuk ka ndonjë shpjegim shterues mbi shenjat dhe ënjtjen në fytyrë, që çoi në shtrimin e tij në spital. Mjekja e tij personale, Anastasia Vasilyeva, që kuroi liderin e opozitës pasi u sulmua me një substancë kimike e gjelbër në vitin 2017, duke e lënë përkohësisht të verbër në njërin sy, tha se ka dërguar jashtë vendit për një analizë të pavarur disa fije floku dhe pjesë të veshjes që kishte në atë moment Navalny./ TIRANA TODAY