Nga: Michael Auslin “National Riview”
Partia Komuniste Kineze (PKK), po zhvillon aktualisht një fushatë të egër propagandistike, që synon të shmangë fajin për origjinën e përhapjes së epidemisë së COVID-19 nga qyteti kinez i Wuhanit. Për më tepër, Pekini po përpiqet të përfitojë nga pandemia, për të forcuar pozitën dhe ndikimin e saj global. Por bota duhet të cilësojë PKK fajtore për të paktën 3 arsye kryesore, për pandeminë e parë globale pas 1 shekulli.
Arsyeja morale
Regjimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PKK, Xi Jinping, refuzoi të pranojë përgjegjësinë për lejimin e përhapjes së pakontrolluar të epidemisë, në fillim në Vuhan, pastaj në mbarë Kinën, dhe pastaj përtej kufijve të saj në pjesën tjetër të botës.
Zyrtarët kinezë, e njihnin shumë mirë seriozitetin e situatës që në dhjetor 2019. E megjithatë ata pritën disa javë, para se të nisnin kufizimin e udhëtimeve, duke lejuar që shumë banorë të Vuhanit të vizitonin të afërmit diku tjetër në vend dhe jashtë saj, duke e përhapur në këtë mënyrë shumë më tepër koronavirusin.
Shkencëtarët britanikë, kanë argumentuar se nëse Pekini do të kishte vepruar 3 javë më herët, përhapja e koronavirusit mund të ishte zvogëluar me 95 për qind. Ndërkohë, ne e dimë gjithashtu se para se epidemia të bëhej një problem jashtë Kinës, PKK i zhduku mostrat laboratorike, ndëshkoi mjekët dhe qytetarët guximtarë që u përpoqën t’i paralajmërojnë bashkatdhetarët e tyre dhe botën për patogjenin e rrezikshëm, në një kohë që refuzoi ndihmën e vendeve të tjera.
Ne jemi thuajse të sigurtë, se Pekini ka fshehur numrin real të të vdekurve në Vuhan, dhe nuk raporton më infektime të reja në Kinë. Imazhet e rrjedhura që vijnë prej andej, kanë treguar radhë të mëdha njerërish që presin të marrin hirin e dashurve të tyre në Vuhan.
Nëpër mediat sociale, thuht se në krematoriume kanë përfunduar mbi 46.000 të vekur nga COVID-19 vetëm në Vuhan, shumë më shumë se sa shifra zyrtare prej vetëm 3.300. Në rajon po shpërthejnë trazirat, pasi njerëzit po tentojnë dëshpërimisht të largohen nga provinca e Hubeit, dhe po pengohen në pikat e kontrollit.
Pra, Kina, që për vite me radhë ka pretenduar se është një anëtare e përgjegjshme e bashkësisë globale, e tregoi fytyrën e saj saj të vërtetë kur u godit kjo krizë. Tanimë nuk mund të mohohet më se regjimi i Xi, përbën një rrezik për botën. Drejtësia kërkon që ai Kina të mbahet fajtore për sjelljet e saj të rrezikshme dhe të këqija.
Qeverisja globale
Veprimet e Partisë Komuniste Kineze, e kanë minuar rëndë qeverisjen politike globale. Siç vëren eksperti Xhejms Kraska, Kina ishte e detyruar moralisht dhe juridikisht, si palë në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit të vitit 2005, “t’i jepte OBSH-së informacion të përshpejtuar, në kohë, të saktë dhe mjaftueshëm të detajuar rreth emergjencave të mundshme të shëndetit publik”, sikurse është edhe koronavirusi.
Por në vend se ta bënte këtë, Pekini e mashtroi vazhdimisht OBSH në lidhje me faktin thelbësor, se patogjeni transmetohej edhe midis njerëzve. Rezultati është se Xi nuk mund të pretendojë më se PKK aderon në të drejtën ndërkombëtare, dhe se korruptueshmëria e organizatave ndërqeveritare si OBSH, është më e dukshme se kurrë.
Për më tepër, pavarësisht se portretizohet si një ofruese vetëmohuese e ndihmës mjekësore për vendet e tjera të prekura, Pekini po fiton në të vërtetë miliona dollarë, duke shitur pajisje për qeveritë e goditura nga pandemia jashtë vendit.
Për më tepër, pjesa më e madhe e kësaj ndihme është e padobishme dhe po kthehet mbrapsht nga Spanja, Republika Çeke dhe Malajzia, midis shumë vendeve të tjera.
Dhe kjo gjë është tipike për regjimin më pak altruist në tokë, dhe më e keqja mund të pritet në vazhdim:qeveria e Xi ka të ngjarë të presë favorizime politike nga vendet që i ka “ndihmuar” gjatë krizës, në të njëjtën mënyrë siç i bëri presion Greqisë për të vënë veton në vitin 2017, kundër një deklarate të BE-ë që denonconte shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë.
Ata që besojnë se qeverisja e mirë globale, sado me të meta, është një mjet i rëndësishëm për ruajtjen e paqes ndërkombëtare dhe garantimin e zhvillimit ekonomik, duhet të tmerrohen nga mënyra sesi PKK po e minon arkitekturën liberale ndërkombëtare, dhe si apo ia nënshtron vullnetit të saj institucionet globale. Normalizimi i një sjelljeje të tillë, nuk duhet të lejohet më.
Mbrojtja kundër patogjenit vdekjeprurës të radhës
Arsyeja e tretë pse Pekini duhet të mbahet përgjegjës, është parandalimi që një pandemi tjetër të shkatërrojë botën në të ardhmen. Siç e pamë me epideminë e Ebolës në vitin 2014 në Dallas të Teksasit, dhe siç po e shohim sërish tani, epoka e globalizmit ka lejuar që patogjenët e izoluar dikur, të kapërcejnë tashmë kufijtë kombëtarë.
Dr. Entoni Fauçi nga Instituti i Sëmundjeve Infektive, është ndër ekspertët e shumtë që kanë theksuar se Italia është shkatërruar nga koronavirusi i Vuhanit, pjesërisht pasi priti një numër të madh turistësh kinezë, por edhe punëtorësh në rajonet veriore, në kohën kur u shfaq virusi.
Mbi 310.000 kinezët që jetojnë në Itali, dhe shumë të tjerë u rikthyen atje pasi vizituan Kinën për Vitin e Ri Henor, e përhapën masivisht koronavirusin. Dhe ishte sërish faji i zyrtarëve të PKK, që nuk arritën të zbatojnë kufizimet e duhura të udhëtimit, pavarësisht se e dinin mjaft mirë seriozitetin e kësaj epidemie.
Nëse Pekini ia hedh paq edhe kësaj here, duke mos u ndëshkuar për dështimin e tij për ta frenuar pandeminë e koronavirusit, gënjeshtrat dhe përpjekjet e regjimit për të mbuluar seriozitetin e patogjenit apo edhe më keq akoma, dhe nëse do të lejohet të vetëmburret për veprimet e saj, atëherë asnjë vend nuk do ta ndiejë më nevojën të jetë i sinqertë me botën kur të shpërthejë epidemia tjetër, dhe do të kemi të njëjtën situatë katastrofike.
Ndërkohë, një PKK me pozita më të forta, do të bëhet dhe më agresive dhe represive, pasi të ketë mësuar se I mund të mashtrojë dhe ngacmojë botën deri në nënshtrim. Nëse shtetet nuk do ta kuptojnë se tolerimi i Kinës në këtë aspekt do të ketë pasoja, atëherë bota jonë e globalizuar do të vuajë pasojat e rënda të pandemive të tjera të ngjashme në të ardhmen.
Pekini zgjodhi të gënjente qëllimisht mbi COVID-19, dhe paaftësia e tij ndihmoi në hapjen e një pandemie të tillë në gjithë botën. Për hir të moralit, qeverisjes politike globale dhe të ardhmes, bota duhet të thotë të vërtetën, të kujtojë faktet, dhe të dënojë veprimet e PKK-së.
TIRANA TODAY