Princeton- Zgjedhja e Emmanuel Macron si president i Francës, dhe vazhdimi i mandatit të kancelares Angela Merkel në Gjermani, janë në një kontrast dramatik me zhvillimet në pjesën tjetër të Evropës, e cila është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme. Dikush mund të pyesë nëse bërthama e fortë franko-gjermane e Bashkimit Evropian, po bëhet shumë e ashpër për pjesën tjetër të bllokut.
Nëse po, ata që sot ëndërrojnë një integrim evropian “gjithnjë e më të ngushtë”, mund të kenë nevojë të mbështeten tek një bosht franko-gjerman i zgjeruar në mënyrë modeste. Sot Evropa është duke u copëtuar nga forcat centrifugale, duke përfshirë lëvizjen separatiste të Katalonjës në Spanjë, dhe një lëvizje më të heshtur për autonomi të rajoneve italiane të Lombardisë dhe Venetos.
Populizmi i krahut të djathtë, është në pushtet në Hungari dhe Poloni, dhe tashmë mund të ringjallet edhe në Austri. Populistët e krahut të majtë qeverisin në Greqi, dhe populizmi i qendrës duket se po ngjitet në skenë në Republikën Çeke, ku moguli Andrej Babis është në rrugën e duhur për të qenë kryeministri i ardhshëm i vendit.
Natyrisht, BE-ja është duke prodhuar një reagim të ashpër nga votuesit përgjatë spektrit politik, siç do të sugjeronte emri i partisë triumfuese të Babisit, “Veprimi i Qytetarëve të Pakënaqur”. Por ajo që mbetet e paqartë, është shkaku kryesor i kësaj pakënaqësie. Thuhet shpesh se populizmi është një reagim i pashmangshëm nga ana e viktimave të globalizimit.
Por ky pohim, përgënjeshtrohet nga performanca e mirë ekonomike në Republikën Çeke, Hungari dhe Poloni. Dhe ai nuk shpjegon as pse kriza katalanase shpërtheu pikërisht në kohën kur Spanja po shënonte një rimëkëmbje të fortë ekonomike, apo pse Greqia mbetet e ndjeshme. Ndërkohë, një tjetër fajtor i preferuar, fluksi e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, e ka një alibi bindëse: Aktualisht ka shumë pak azilkërkues në vendet që drejtojnë sulmet më të ashpra ndaj politikave të BE -së mbi emigracionin.
Për të identifikuar rrënjët e pakënaqësisë së evropianëve, ne duhet të shqyrtojmë pritshmëritë e mbajtura prej një kohë të gjatë, sipas së cilës lidershipi në Evropë duhet të vijë gjithmonë nga partneriteti franko-gjerman, i cili ka qenë ndër dekada vektori kryesor i integrimit evropian. Në periudhën e pasluftës, presidenti francez Charles de Gaulle punoi ngushtësisht me kancelarin e Gjermanisë Perëndimore, Konrad Adenauer, dhe kjo vazhdoi deri në vitet 1990, kur François Mitterrand dhe Helmut Kohl lidhën një miqësi të ngushtë.
Për shkak të kësaj historie, supozohet se nëse Franca dhe Gjermania bien dakord për diçka, pjesa tjetër e Evropës thjesht duhet të bjerë dakord me to. Por gjatë krizës së borxhit në eurozonë, e cila filloi në fundin e vitit 2009, fuqia nisi të zhvendosej nga Franca drejt Gjermanisë, dhe shumëkush në Evropë filloi të cilësojë këtë të fundit si dhunuese.
Në sondazhe, francezët dhe gjermanët kanë vlerësimin më të ulët të besueshmërisë tek evropianët e tjerë. Sigurisht Merkel, ka qenë një udhëheqëse polarizuese. Para shtatorit të vitit 2015, shumë evropianë besonin se ajo ishte shumë e përkushtuar ndaj një regjimi shtrëngues financiar, që përshkallëzoi krizën e euros.
Më pas, ajo udhëhoqi reagimin humanitar të Evropës ndaj krizës së refugjatëve, duke fituar lavdërimin e kritikëve të saj të mëparshëm, por shkaktuar edhe denoncimet e populistëve dhe nacionalistëve të tjerë anti-BE, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Evropën Qëndrore. Tani, populistët e fajësojnë atë jo vetëm për refugjatët, por edhe për terrorizmin.
Ngjashëm, edhe Macron nuk ka i bërë asnjë favor vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Kritika e tij ndaj Direktivës së Transferimit të Punëtorëve – e cila lejon që punëtorëve nga rajoni t’u ulen pagat kur shkojnë të punojnë në Evropën Perëndimore, dhe të shmangin taksimin e pagave – e kanë bërë atë të duket po kaq i lig sa edhe Merkel në disa vende.
Gjatë krizës së euros, shumë politikanë grekë, italianë dhe spanjollë e panë Francën si një kundërpeshë ndaj Gjermanisë. Ata mendonin se Parisi mund të zbuste disi politikën shtrënguese të Gjermanisë, dhe të mbështeste investime më të mëdha në sektorin publik. Por ky qe një iluzion, dhe një keqkuptim i rolit të Francës në partneritetin franko-gjerman.
Sipas ndarjes tradicionale të punëve, Franca i garanton Evropën sigurinë dhe mjetet për të projektuar fuqinë jashtë unionit; ndërsa Gjermania mbikëqyr financat dhe ekonominë në BE. Kur Evropa u ballafaqua me një sfidë sigurie, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, motori franko-gjerman rezultoi të qe mjaft efikas. Por kritikëve të BE-së, nuk u pëlqen ideja e politikave të jashtme të koordinuara, më shumë se sa ajo e disiplinës fiskale dhe monetare, që u vendos në mesin e një recesioni ekonomik.
Megjithatë, edhe pse partneri franko-gjerman ka shkaktuar polemika, ai ka fituar gjithashtu një rol të rëndësishëm, për shkak të vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga BE. Para referendumit të Brexit të vitit 2016, shumë vende në periferinë e unionit e shihnin Britaninë e Madhe si një pengesë për “dirigjizmin” francez dhe grabitjen e pushtetit nga gjermanët. Tani, Britania e Madhe është në mëshirën e Gjermanisë dhe Francës, teksa është duke negociuar daljen e saj nga Bashkimi Evropian.
Fotoja e vizitës së kryeministres britanike, Theresa May, më 20 tetor në Bruksel ishin tejet domëthënëse, pasi risillte në kujtesë momentin kur Merkel dhe ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy, shihnin me bisht të syrit kryeministrin italian Silvio Berluskoni gjatë një samiti të BE-së në nëntorin e vitit 2011. Brenda pak javësh, Berluskoni dha dorëheqjen.
Duke parë në perpektivë, Franca dhe Gjermania kanë nevojë urgjente për të zhvilluar një vizion të përbashkët, që e tejkalon politikën e tyre kombëtare, dhe përfshin një reformë të vërtetë në nivelin e BE-së. Tashme ekziston njëfarë konsensusi mbi nevojën për koordinimin e mbrojtjes, dhe harmonizimin e taksave. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Franca dhe Gjermania, duhet ende të trajtojnë shumë çështje që lidhen me centralizimin fiskal, ristrukturimin e borxhit sovran dhe çështje të tjera themelore.
Dhe pavarësisht nëse Franca dhe Gjermania bien dakord për ndonjë çështje të caktuar, të gjitha fushat e politikave duhet t’i nënshtrohen një procesi negocimi, që përfshin të gjitha vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Pjesa tjetër e Evropës duhet të ndihet sikur ka një vend në tavolinë. Kjo mund të arrihet me listat e kandidatëve për në Parlamentin Evropian, siç propozoi kohët e fundit Macron; ose me mekanizmat formalë për të angazhuar rajonet dhe qytetet e Evropës, në mënyrë që Këshilli Evropian të mos rezervohet ekskluzivisht për shtetet anëtare.
Në fund të fundit, BE-ja ende mund të zhvillohet, por vetëm nëse ajo çlirohet nga prioritetet e ngushta franceze dhe gjermane. Ajo për të cilin ka tashmë nevojë Evropa nuk është një bërthamë e fortë, por një vizion i fortë.
Shënim: Harold James është profesor i historisë dhe çështjeve ndërkombëtare në Universitetin Prinstonit në SHBA. Ai është bashkautor në librin e publikuar së fundmi “Euro dhe beteja e ideve”.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce