Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, ka dhënë lajmin e shumëpritur se Shqipëria i ka kryer detyrat dhe se do të jemi pjesë e BE-së. Në konferencën e përbashkët me Ramën, ajo tha se rruga e Shqipërisë ka hasur vështirësi, por vetë personalisht është e vendosur që vendit tonë ti hapen sa më shpejt negociatat. Presidentja e KE-së shtoi më tej se BE-ja i ka një borxh të madh rinisë shqiptare, që besojnë tek e ardhmja europiane.
“Më la shumë mbresa vizita këtu. Takova fëmijët edhe vajzat që luanin volejboll. Djemtë basketboll. Do të doja që fëmijët e mi të kishin një shkollë të tillë. Falenderoj ekipin, shumë faleminderit. Ky është simbol i miqësisë, por dhe bashkëpunimit, i të ardhmes sonë të të ardhmes.
I kemi parë fëmijët, vajzat, djemtë. E ardhmja e Shqipërisë është në BE, jemi miq dhe partner. Shqipëria i ka kryer detyrat, e di që ka qenë rrugë e gjatë.
Jemi ne ata që duhet të bëjmë pjesën tonë. I kemi borxh rinisë shqiptare që besojnë tek e ardhmja europiane.
Është rinia jonë. Jo vetëm me shkollat, por dhe me bashkëpunimin tonë për këto përparësi që ne kemi. Së pari rimëkëmbja nga pandemia, dy shtylla kryesore, nga njëra anë vaksinimi dhe rimëkëmbjen nga pandemia dhe fuqizimin e ekonomisë.
Kemi pasur një problem në fillim me fqinjët e Ballkanit Perëndimor, por do e tejkalojmë. Skuadra e BE-së ka dhuruar 430 mijë doza në Shqipëri, do të vijojnë. Vaksinat shpëtojnë jetë, shpëtojnë të dashurit e zemrës. Me të do të tejkalojmë pandeminë.
Sa më i shpejtë Procesi i Berlinit, aq më shpejt dhe integrimi në BE. Shqipëria meriton dhe do të jetë në BE, nuk ka pikë dyshimi. Jap mbështetje të plotë për negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut sa më shpejt. Ju përmendët disa vështirësi, unë jam e vendosur që të kemi tryezën e parë ndërqeveritare. E kemi diskutuar edhe në të shkuarën, po punojmë për këtë”, tha von der Leyen.
Gjatë konferencës me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kryeministri Rama e falenderoi për punën që ka bërë për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Rama tha se KE ka disa vite që na jep rekomandim pozitiv. Por duhet konsensus mes vendeve të BE-së, pasi po nuk ranë dakord 27 vende, njëri prej tyre mund të bllokojë procesin.
“Komisioni Europian ka disa vite që jep rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave. Komisioni është i rreptë, por është dhe i parashikueshëm, pasi bazohet në fakte e prova e në raportime që realizohen në përmbushjen politike të detyrave. Duhet konsensus, po nuk ranë dakord 27 vende, mjafton njëri për ta bllokuar siç ndodh me Bullgarinë që ka marrë peng procesin dhe mua s’më ngelet gjë tjetër veçse të falënderoj presidenten për punën që po bën në këtë situatë.
Kemi folur edhe për ecurinë e procesit të bashkëpunimit rajonal, dihet se Von der Leyen është një nga bashkëpunëtoret e ngushta të Merkel, e cila nisi procesin e Berlinit dhe për këtë arsye presidentja e njeh mirë procesin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Në këtë aspekt, në vigjilje dhe të Samitit të Ballkanit Perëndimor, kemi diskutuar për të gjitha. E njohja e Kosovës kërkon dialog, kërkon bashkëpunim e besim reciprok mes palëve”, tha Rama.