Ditën e nesërme, PS do të mbledhë grupin parlamentar, ku deputetët do të propozojnë tre emra për kandidatë për presidentë. Kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka ftuar për konsultime për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit edhe publikun, ku i është kërkuar që të propozojnë një emër që ato duan. Ky propozim duhet te bëhet në email zyrtar të grupit parlamentar të PS. Konsultime do të zhvillohen edhe me shoqërinë civile. Balla ka përjashtuar konsultimet me Sali Berishën, ndërsa ka pohuar se do t’i zhvillojnë me Alibeajn.
“Konsultimet me grupet parlamentare të opozitës, dhe do i propozonim këtu grupeve në një takim të martën pasdite, Alibeaj si kryetar i PD, Mesila Doda dhe Fatmira Mediun”, tha Balla. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, në një komunikim me gazetarët në Kryesinë e Kuvendit, mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, tha se pjesë e konsultimeve do jetë PD, me kryetarin e grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, Mesila Doda dhe Fatmir Mediu.
“Nesër në këtë sallë të grupit parlamentar ne do marrim propozimet e para me emra konkretë për kandidatë për president, nga anëtarët e grupit parlamentar.
Në një zarf të tillë, çdo deputet i grupit parlamentar do ketë mundësinë të propozojë jo më shumë se 3 kandidatë. Kjo është një prej pjesëve, më pas bashkë me listën dhe kolegun tjetër Damianin do vlerësojmë propozimet që vijnë nga brenda grupit parlamentar.
Në të njëjtën kohë duam të nxisim dhe publikun të bëhet pjesë e këtij procesi, ndaj në adresën zyrtare email të grupit tonë parlamentar do nxisnim publikun që të sjellin propozimet e tyre. Ky është një standart i ri për tu ndarë nga kulisat e vjetra të konsultimeve, për zgjedhjen e kryetarit të shtetit. Dhe populli s’mund të përjashtohet nga e drejta për të sjellë propozime, çdo qytetar i këtij vendi i lutur që në këtë adresë emaili, kemi zgjedhur komunikim zyrtar të sjellë propozimin e tij cili mendoj që ai duhet të jetë presidenti.
E treta ka të bëjë me shoqërinë civile, që të bëhet pjesë e konsultimeve. Në këtë sallë do ftojmë. E katërta janë konsultimet me grupet parlamentare të opozitës. Do i ftojmë grupet parlamentare e meqë koha është shumë e shkurtër, do propozonim që në një takim të martën pasdite të tre kryetarët e grupeve parlamentare, Enkelejd Alibeaj, si kryetari i grupit më të madh të opozitës, të PD, Mesila Doda e Fatmir Mediu në një takim paraprak këtu në zyrat e Kuvendit me qëllim që të fillojmë të identifikojmë ose parimet kryesore të një dialogu konstruktiv mes katër grupeve parlamentare”, tha Balla.