Pas Italisë, Spanja është vendi i dytë më i goditur nga COVID-19. Shteti po përballet me vdekjen masive të qytetarëve, po kështu në masë edhe të të infektuave. Më e rënda është se nuk ka as arkivole për të përballuar përcjelljen për në banesën e fundit, të personave të cilët nuk ia dolën dot mbanë me koronavirusin.
Ndodhur në këto kushte, autoritetet e Madridit janë detyruar që të përdorin strukturën e ‘Palazzo del Ghiaccio’, një qendër tregtare me një shesh patinazhi, si një morg të përkohshëm.
Duke pasur parasysh rritjen progresive të numrit të viktimave dhe pamundësinë e morgut për të garantuar varrosjen brenda periudhës së caktuar, kompania ‘Ice Palace’ e ka shndërruar strukturën e saj në ‘varrezë akulli’.
Në kryeqytetin spanjoll nuk ka arkivole, dhe kryebashkiaku José Luis Martínez-Almeida po kërkon mënyra të tjera siç është krematoriumi.
Numri i viktimave në Spanjë ka shkuar në 2700, dhe vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 514 persona. Numri i të infektuarve, viktimave, dhe të shëruarve llogaritet në 40.000 të infektuar (një rritje prej gati 20% në 24 orët e fundit), sipas bilancit të fundit nga Ministria e Shëndetësisë spanjolle.
Mediat vendase bëjnë me dije se pothuajse 3.800 njerëz kanë lënë tashmë ambientet e spitalit dhe 2.636 mbeten ende të shtruar. “Ende ka njerëz të papërgjegjshëm, siç janë pacientët e shtruar në spital që kanë lënë spitalet pa u shëruar”, ka njoftuar policia.