Precedenti “Llalla” po sjell një valë dorëheqjesh në sistemin e drejtësisë. Pas nisjes së procesit të Vettingut, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ishte i pari person i cili dha dorëheqjen. Por siç duket, ky precedent po ndjek një trend rritës edhe nga prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët nuk e kanë të sigurt kalimin e procesit të Vettingut.
Emri i radhës ishte i gjyqtares së Gjykatës për Krimet e Rënda, Liljana Baku, e cila dha dorëheqjen nga detyra. Dorëheqja është paraqitur nga Baku pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor më 2 dhjetor, dhe se kjo lëvizje vinte për shkaqe personale.
“Do angazhohem në biznes privat”, mësohet të ketë thënë Baku. KLGJ pritet ta shqyrtojë kërkesën e saj në seancën plenare të datës 10 dhjetor, pak ditë përpara se të bëjë emërimin e përkohshëm të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas ligjit, gjykatësja Baku automatikisht emërohej pranë Gjykatës së Posaçme, pasi më herët ishte njohur me aktet e Vettingut, dhe kishte shprehur pëlqimin e kishte autorizuar autoritetet të kontrollonin periodikisht llogaritë bankare të saj dhe familjarëve, si dhe telekomunikimet vetjake.
Emri i saj u përfol një ditë më parë, pasi ishte gjyqtarja e dosjes “Tahiri”. Liljana Baku ka dhënë për sistemin e drejtësisë, prej më shumë se 20 vitesh. Prej themelimit të saj, ajo ka ushtruar funksionin pranë Gjykatës për Krime të Rënda, ku ka shqyrtuar mjaft dosje të vështira.
Çështja më e fortë që ka shqyrtuar së fundmi, është ajo e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në krye të herës, ajo vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë, duke i bllokuar pasaportën Tahirit, e në këtë mënyrë edhe lëvizjen jashtë vendit. Vendimi i saj u rrëzua nga Apeli, pavarësisht deklaratës së fortë që erdhi asokohe nga ambasadori amerikan Donald Lu, që shënjestronte hapur gjykatësit e shkallës së dytë dhe ngrinte dyshime të forta për përfshirjen e tyre në korrupsion.
Pavarësisht kësaj, në maj të 2018, gjykatësja Baku firmosi masën e dytë për Tahirin, atë të “arrestit shtëpiak”. Por edhe kjo masë u shfuqizua dhjetë ditë më vonë nga Apeli.
Dosjet e forta
Liljana Baku ishte gjyqtarja që firmosi vendimin për ndalimin e udhëtimit jashtë shtetit për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke e ‘mbyllur’ atë në Shqipëri.
Baku ka gjykuar gjithashtu edhe dosjen e imamëve të vetëshpallur të Unazës së Re, që akuzoheshin për terrorizëm. Ajo gjykoi edhe nipin e diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha, i cili u arrestua si pjesë e dosjes Xibraka, ku u zbulua një laborator ku prodhohej kokainë.