Preç Zogaj ka komentuar situatën politike, duke pranuar që në kohën e Berishës ka pasur korrupsion, por ndryshe nga Rama, thotë ai, dikur ekzistonte gara.
Teksa ishte i ftuar në “Këndin e Ekselencës” në News 24, Zogaj tha se Rama ka zhdukur tenderin dhe garën dhe se gjithçka e ka vënë në funksion të autoritarizmit të tij:
“Rama ka krijuar defekte siç janë koncesionet duke i bërë rrush e kumbulla. Berisha ka bërë punë të mëdha në atë kohë. Rama zhduku tenderin dhe garën. Kjo do të thotë se gjithçka e vuri në funksion të autoritarizmit të tij. Në kohën e Berishës kishte korrupsion, por kishte një garë. Konkurronin 20 firma për të marrë një tender. Në periudhën e Ramës u zhduk tenderi. Koncesionarët janë të përcaktuara. Rama ndërtoi sistemin e kapjes së gjithë institucioneve”.
I pyetur për zgjedhjet e 25 qershorit, shkrimtari i cilësoi ato si më të shëmtuarat, ndërsa akuzoi se ka dominuar shitblerja e votës, që fryu fitoren e PS-së. Gjithashtu, Zogaj komentoi marrëveshjen e 18 majit mes Ramës dhe Bashës, ku akuzoi sërish kryeministrin se e kishte thyer atë, shkruan BalkanWeb.
“Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 ishin zgjedhjet më të shëmtuara krahasuar me zgjedhjet e vitit 1996. Shitblerja masive e votës dominoi. Kjo është një nga shkaqet e humbjes së PD, por PS nuk i ka fituar zgjedhjet. Manipulimi dhe shitblerja kanë fryrë fitoren e PS.
Siç erdhën punët, PD më mirë të shkonte në ‘luftë’ me PS sesa me marrëveshje. Problemi madhor është shitblerja e votës dhe kanabisi. Marrëveshja i maskoi problemet. Edi Rama e ka thyer marrëveshjen. PD refuzoi Evropën, por jo SHBA. PD u tërhoq nga vendimi i bojkotit pasi kishte filluar fushata dhe pas ndërhyrjes së SHBA. Edi Rama e ka prerë në besë Lulzim Bashën. Ai ka thyer një marrëveshje e cila u realizua me ndërhyrjen e SHBA.”