Popullsia e qarqeve edhe në vitin 2021 ka pësuar rënie në shumicën prej tyre, duke pasqyruar problematikën e fortë demografike, me rënien e lindjeve, emigracionin e lartë dhe plakjen e popullsisë.
Përllogaritjet e popullsisë më 1 Janar 2021 tregojnë se vetëm dy qarqe të vendit shënuan rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa dhjetë qarqet e tjerë shënuan rënie të popullsisë. Rritja më e madhe u shënua në Tiranë (+ 0,7 %), ndjekur nga Durrësi (+ 0,5 %).
Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet Gjirokastër (- 2,3 %), Berat (- 2,1 %) dhe Dibër (- 1,9 %).
Qarku me raportin e varësisë së të rinjve më të lartë është Kukësi (33,1 %), i cili po ashtu rezulton edhe si qarku me raportin e varësisë së të moshuarve më të lartë (24,9 %) bashkë me qarkun e Lezhës.
Popullsia në numër shënoi rënien më të madhe në Berat me një pakësim prej 2500 personash, ndërsa Tirana kishte shtesë më të lartë me rreth 6 mijë persona plus në vitin 2021.
Popullsia e vendit në tërësi në fillim të vitit 2021 ishte 0,6% më e ulët së me 1 janar 2020. Zhvillimet demografike u ndikuan nga faktorë vitin e kaluar. Pandemia Covid -19 rriti vdekshmërinë në rekorde gjatë vitit të, ndërkohë që emigracioni u frenua për shkak të kufizimeve pandemike.
Gjatë vitit 2020 humbën jetën 27.605 persona, duke shënuar një rritje me 25,8 %, krahasuar me një vit më parë.
Gjatë vitit 2020, të gjitha qarqet e vendit shënuan rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2019. Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 627 vdekje, ndërsa numri më i lartë, në qarkun e Tiranës, me 7.129 vdekje, për vitin 2020. Rritjen më të lartë në përqindje të vdekjeve, gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, e zë qarku i Lezhës, me 34,2 %
Popullsia e Shqipërisë në vitin 2031, sipas projeksioneve të përditësuara (2019-2031), llogaritet të jetë 2.745.996 banorë. Ky numër është rreth 36 mijë banorë më pak krahasuar me numrin e popullsisë në Projeksionet e Popullsisë 2011 – 2031. Ndryshimi i këtij numri është pasojë direkte e normave më të ulta të lindshmërisë dhe shpërndarja gjinore e emigrantëve e cila nuk përkon me hipotezën e Projeksioneve të Popullsisë 2011 – 2031.
Mirëpo tre matje indirekte që ka bërë Instituti i Statistikës sugjerojnë se popullsia e vendit është tkurrur gjatë dekadës së fundit nga 350-600 mijë persona. Ndërsa një studim i Institutit për Studime Ndërkombëtare i Vjenës tregoi se Shqipëria ka emigruar vetëm në Europë 500 mijë persona. Shifra doli në bazë të lejeve të aplikimit për qëndrim në këto vende nga 2010-2020./Monitor