Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte sot i pranishëm në aktivitetin “Lufta kundër trafikimit dhe mbajtjes së armëve” ku prezantoi së bashku me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, bashkëpunimin me nismën franko-gjermane.
Xhafaj tha se armët janë ende një problem i prekshëm për Shqipërinë dhe se qeveria do të angazhohet për shkatërrimin e plotë të armëve të tepërta duke nisur që nga viti 2019.
Në aktivitet, ministri tha se nga viti 2014-2017 numri i vrasjeve është ulur ndjeshëm pas fushatave ndërgjegjësuese për dorëzimin e armëve. Sipas Xhafajt, viti 1997 ka ene pasojat e veta me humbje njerëzore pas hapjes së depos së armëve.
Fjala e plote
Fillimisht më lejoni që në cilësinë e ministrit të Brendshëm të shpreh kënaqësinë që marr pjesë sot në këtë mbledhje koordinuese. E konsideroj këtë nismë franko-gjermane si mjaft të rëndësishme për sa i përket një problemi fort të prekshëm për Shqipërinë dhe për rajonin e Ballkanit në tërësi.
Keqpërdorimi i armëve dhe mandej trafikimi i paligjshëm i tyre përbën për të gjithë ne një shqetësim vërtet serioz. Shfrytëzimi i tyre nga ana e organizatave kriminale si dhe më tej nga celulat terroriste aktive në kontekst global, natyrisht mbetet problematik. Për mënyrën se si veprojnë sot këto dy tipologji të kriminalitetit, të cilat dihet kanë marrë përmasa të mirëfillta transnacionale, shqetësimet i kalojnë kufijtë rajonalë. Nisur nga këto premisa, qeveria shqiptare, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, në kuadër të kësaj nisme me shumë interes, veçanërisht vitet e fundit ka ndërmarrë një sërë masash në nivelin e politikave si dhe të zbatimit të ligjit për të siguruar një kontroll më rigoroz të qarkullimit të armëve.
Siç dhe e dini, është ngritur një Komision Kombëtar për të koordinuar dhe monitoruar te gjitha aktivitetet në vend që kanë lidhje me Armët e Vogla dhe të Lehta. Gjithashtu, Shqipëria e ka përqafuar “Udhërrëfyesin për një zgjidhje të qëndrueshme të mbajtjes pa leje, keqpërdorimit dhe trafikimit të Armeve të Vogla dhe të Lehta në Ballkanin Perëndimor, deri më 2024”. Hartimi i tij u dakordësua në Tiranë, gjatë takimit të Komisioneve rajonale të armëve të vogla dhe të lehta në maj të këtij viti. Në zbatim të tij, Komisioni Kombëtar dhe ekspertë po punojnë me të, për të hartuar një Strategji dhe Plan-Veprimi, të cilat do të jenë të parat e këtij lloji në Shqipëri dhe që do të prezantohen në takimin e dhjetorit në Paris.
Tragjedia kombëtare e vitit 1997, që i zhvendosi në masë armët e të gjitha llojeve nga depot e shtetit në duart e qytetarëve, dhe që në një masë të konsiderueshme, edhe në duart e grupeve kriminale, ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë fatkeqësi me humbje jetësh njerëzore si dhe zhvillimin e tregut të trafikut të armëve dhe nga vendi ynë. Është dashur një punë e jashtëzakonshme në vite përmes ndërgjegjësimit dhe forcës së shtetit për t’i zbutur efektet e asaj çmendurie. Ne jemi të ndërgjegjshëm se armë të tilla gjenden ende akoma në duar të papërgjegjshme.
Shqipëria ka arritur rezultate të mira në luftën kundër trafikimit të armëve, sidomos për shkak të bashkëpunimit shumë të mirë mes policisë dhe doganave, por dhe bashkëpunimit me vendet fqinje, në të dy nivelet : në atë politik dhe në nivel operacional.
Gjithashtu një punë e jashtëzakonshme gjithë këto vite, përmes proceseve të ndërgjegjësimit dhe forcimit të masave shtrënguese gjithashtu ka ndihmuar në vetëdorëzimin e armëve nga ana e vetë qytetarëve si dhe identifikimin dhe ndëshkimin e rasteve të armëmbajtjeve pa leje.
Kjo ka çuar edhe në një ulje të ndjeshme të numrit të vrasjeve dhe plagosjeve me armë zjarri. Në vitet 2010 – 2013, gjatë atij 4-vjeçari, në veprat penale të regjistruara kishim mesatarisht 119 vrasje me armë zjarri dhe 167 plagosje të rënda me armë në një vit.
Në vitet 2014 – 2017 këto tregues zbritën në 69 vrasje dhe 136 plagosje të rënda mesatarisht në një vit. Pra nga 119 në 69 vrasje mesatarisht në një vit. Këto shifra janë shumë më të ulëta edhe gjatë këtij viti, të pakrahasueshme me vitet e mëparshme, por tashmë edhe në një nivel të mirë krahasimi me mesataren e vendeve e BE-së.
Aktualisht Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese në vend është përfshirë në një operacion të gjerë në kontrollin e territorit për identifikimin, goditjen dhe ndëshkimin e grupeve kriminale që janë përfshirë në përdorimin dhe trafikimin e armëve të zjarrit të të gjitha llojeve.
Gjithsesi jemi të vetëdijshëm se megjithëse legjislacioni penal për armëmbajtjen pa leje në Shqipëri është ndër më të ashprit në rajon, ekziston një problematikë reale për sa i përket armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve.
Një kuadër ligjor më i qartë dhe kryesorja implementimi i duhur do të ndihmojë në parandalimin më mirë të ngjarjeve të kronikës së zezë në këtë fushë. Ndërgjegjësimi i popullsisë mbi rrezikun e armëve është një aspekt shumë i rëndësishëm dhe mbetet një prioritet për punën e Policisë së Shtetit, por edhe një detyrim për të gjitha institucionet e vendit dhe veçanërisht institucionet arsimore, të qeverisjes vendore, komunitetet fetare, shoqërinë civile, mediat etj.
Deri më sot, është e vërtetë se fushatat ndërgjegjësuese për dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, të përdorura disa herë në Shqipëri, kanë rezultuar përgjithësisht të suksesshme. Riaktivizimi i një fushate të tillë, por këtë radhë edhe më gjithëpërfshirëse, duke bashkuar energjitë e të gjithëve, konsiderohet si domosdoshmëri nga ana jonë.
Shqipëria ka tashmë një Strategji mjaft të mirë të Menaxhimit të Integruar të Kufijve, e vlerësuar si e tillë dhe nga përfaqësues e FRONTEX që e kanë monitoruar atë. Rritja e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, sjell gjithnjë sfida të reja, dhe përgjigja nga ana e institucioneve ligjzbatuese me mjete dhe teknologji që i përgjigjet këtyre sfidave do të jetë prioritet i veçantë për ne, siç mbetet e mirëpritur ndihma e donatorëve në këtë aspekt.
Ministria e Brendshme mbetet tërësisht e angazhuar për ngritjen e Njësisë Qendrore te Armëve të Zjarrit, si strukturë organike, brenda tremujorit të parë të vitit 2019. Bashkëpunimi shumë i mirë me Ministrinë e Mbrojtjes do të vazhdojë dhe do të forcohet, sidomos në aspektin e shkatërrimit të armëve dhe municioneve të tepërta. Ne synojmë gjithashtu që të rritet më tej përdorimi i analizës së riskut nga ana e institucioneve tona ligjzbatuese. Investimet që jemi duke bërë për pajisjet e teknologjisë së lartë si për regjistrimin dhe shënjimin e armëve të zjarrit, por dhe për Institutin e Policisë Shkencore, megjithëse janë ende modeste, në raport me nevojat që kemi, do të rrisin shumë shanset për identifikimin e keqbërësve dhe kontrollin sistematik të armëve të zjarrit.
Ne gjithashtu jemi shumë të dëshiruar për mbështetje në teknologji në këtë fushë. Kam besim të plotë se të tjera procese reformuese që po zhvillohen aktualisht në Shqipëri, veçanërisht reforma e thellë në sistemin e drejtësisë, do të kontribuojnë pozitivisht në vendosjen e rezultateve edhe më të qëndrueshme edhe në këtë aspekt. Jemi plotësisht të angazhuar që t’i japim fund një sërë problematikash që prej më se dy dekadash kanë penguar marrëdhënien e mirë institucionale mes qytetarëve dhe Shtetit. Reformat e vëna në lëvizje kanë pikërisht këtë qëllim dhe investimi ynë politik, institucional e profesional shkon vetëm në këtë drejtim, në fushën e zbatimit të ligjit.
Falënderoj të gjithë për punën e bërë, dhe ju siguroj që Komisioni Kombëtar do të ketë vëmendjen dhe mbështetjen e veçantë të qeverisë për të përmbushur më së miri përgjegjësitë dhe detyrat e tij.