SHBA e shpalli “non grata” ish-kryeministrin Berisha, me qëllim që ta largojë nga politika. Por dalja e tij e fundit në media, dëshmoi rezistencën e tij. Amerikanët kanë dhënë sinjale të qarta gjatë ditëve të fundit, se nuk ka më pandëshkueshmëri. Duket se është shumë e afërt dita kur do të nisin arrestimet në nivele politike.
Sakaq, brenda Partisë Demokratike kanë nisur lëvizjet për krijimin e një grupi që kërkojnë largimin e Berishës. Ish-kandidati për kryetar i PD-së, Fatbardh Kadilli, me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook, u shpreh se Berisha ka qenë një forcë dhe dobësi e PD-së, por edhe pas gjithë historisë që ai ka lënë pas, është i shmangshëm.
Ai është i mendimit se PD ka nevojë për rinovim, duhet të shkëputet nga çdo peng i së shkuarës dhe nga mentaliteti i liderit fals që bën çudira. “Berisha është një institucion në PD që gjithsesi duhet shmangur. Jo për tu hedhur poshtë. Aspak. Por për t’i dhënë shancin që nga gremina ku ndodhet dhe vazhdon të përpëlitet, të mund të zërë vendin që i takon për veprat e mira që ka lënë.
Shmangia nuk vjen nga mungesa e respektit. Nuk vjen nga mosmirënjohja. Shmangia nuk vjen nga mungesa e ndjeshmërisë. Shmangia nuk vjen nga mungesa e parimeve. Perkundrazi. Shmangia nuk vjen se e kërkojnë amerikanët, por se ishte prej kohësh e nevojshme dhe sot është jetike për PD”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale.