Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, në një dalje për mediat, e ka cilësuar një operacion kriminal të strukturuar mbushjen e kutive me fletë votimi më tepër se sa votues. Ai solli shembuj Durrësin dhe Shkodrën, ku sipas tij, janë mijëra vota më shumë. Vasili u shpreh se ndonëse kanë bërë gjithçka vetë, nuk kanë mundur do të fshehin krimin elektoral. Ajo që është edhe më e rëndë, lidhet me pamjet filmike. Vasili sqaron se kamera nga sipër vëzhgon të gjithë votuesit, për të marrë vesh nëse ata që kanë çuar me forcë në zgjedhje, kanë votuar apo jo.
“Rezultati, produkt i mbushjes së paligjshme dhe kriminale të kutive të votimit, dhe jo vullnetit të shqiptarëve. Megjithëse i kanë bërë gjithçka vetë, nuk kanë mundur dot të fshehin krimin elektoral që është evident dhe shumë i qartë.
Në Bashkinë e Durrësit, nga numërimi i votave në raport me votuesit të raportuar që kanë votuar, në kutitë e votimit gjenden mijëra vota më shumë. Nga 35 672 votues, fletë votimi 37552 pra 2500 vota më shumë që janë hedhur nga duart e zeza në kutitë e votimit, për të realizuar planin socialist.
E njëjta gjë ka ndodhur në bashkinë e Shkodrës. Votues 15913 dhe ende pa mbaruar mbi 20 e ca kuti, ishin mbi 1000 fletë votimi më shumë në kuti. Operacioni i hedhjes së fletëve votimi ishte një operacion kriminal, i strukturuar, i organizuar. Edhe në qendër të Tiranës.
Së treti, keni një foto shumë evidente. Kamera nga sipër vëzhgon të gjithë votuesit, për të marrë vesh nëse ata që kanë çuar me forcë në zgjedhje, i kanë votuar apo jo.
Një fenomen i turpshëm kriminal ka qenë dhe vazhdon të mbetet çuarja me zor e me shantazh i njerëzve, sidomos atyre që janë pjesë e administratës shtetërore dhe familjarëve të tyre”, deklaroi Vasili.
Sipas tij, kryeministri ka futur vendin në krizë të thellë, dhe se Shqipëria nuk do të kthehet pas në greminën e krimit. “Dhjetëra mijëra vota, dhe ky refuzim i jashtëzakonshëm është prova e një pushteti që ka marrë fund, e një kryeministri që ka marrë fund, dhe një provë që shqiptarët nuk do sakrifikojnë veten e tyre për një të vdekur që ecën. Ne do jemi këtu, të pathyeshëm. Shqipëria kurrë nuk kthehet mbrapa më në greminën e monizmit, dhe as në greminën e krimit të organizuar”, theksoi Vasili.