Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, me anë të pamjeve ka denoncuar blerjen e një vote nga një person, që sipas tij është funksionar i Partisë Socialiste. Paloka akuzoi PS-në se po blen vota për pjesëmarrje, ndonëse është parti e vetme në zgjedhje dhe kontrollon të gjithë procesin zgjedhor.
“Përtej panoramës që po i kujtojnë sot shqiptarëve votimet në kohën e diktaturës, Edi Rama ka kryer një ndër operacionet kriminale për blerjen e votuesve.
Edhe kur është i vetëm në votime, edhe kur kontrollon çdo hallkë të zinxhirit që ka lidhje me votën, Edi Ramës sërish i duhet të blejë votues, i duhet të vjedhë, i duhet të manipulojë rezultatin.
Këtë herë Edi Ramës i duhet pjesëmarrja për të fshehur braktisjen masive të shqiptarëve. Për këtë arsye, i ka vënë në sërish në funksionim skemës kriminale të blerjes së votuesve.
PD ka marrë me mijëra denoncime që zbulojnë këtë skemë, por ajo që zbulon më mirë fytyrën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt është video që do të ndiqni pas pak, ku do të shihni se si një skundër kriminale me njerëz të PS dhe të punësuar të Bashkisë së Tiranës, kryejnë krimin penal të blerjes së votës dhe krimit moral të korruptimit të shpirtit të një vajze të re, për fat të keq, vajza duket se e ka për herë të parë një operacion të tillë kriminal”, deklaroi nënkryetari i PD-së nga selia blu.
“Kjo që sapo patë tregon qartë më zë dhe me figurë dhënien e parave për blerjen e votës nga një grup i strukturuar kriminal i PS dhe Bashkisë së Tiranës. PD ka mundur të identifikojë njërin nga personat të përfshirë në këtë krim zgjedhor, ai është Edmond Hajdro, Komisioner i PS në njësinë administrative numër 9 pranë kopshtit numër 3, është edhe administrator i emëruar nga Bashkia e Tiranës në një pallat.
Kjo është fytyra kriminale e Edi Ramës dhe Erion Veliajt që blejnë votues për pushtetin e tyre personal me para të krimit, të korrupsionit që jua kanë vjedhur ju dhe fëmijëve tuaj. Prandaj gjëja më e mirë që mund të bëni sot është të bojkotoni Edi Ramën”, tha ai.