Kryeministri Edi Rama u shfaq i zymtë mbrëmjen e së Enjtes duke sharë kritikët dhe opozitën ndërsa ofroi 22.5 miliardë lekë “garanci” për kredi për biznesin dhe ndihma për shtresat në nevojë ndërsa premtoi anulimin e kamatëvonesave që shtresat e varfra kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që sipas Ramës, kanë vlerën 150 milionë euro.
Në fjalimin e tij, Rama u ankua se Shqipëria nuk është si Amerika apo Europa ndërsa fjalimi i tij ishte mbushur me shprehje frazeologjike të zymta, të tilla si “kohë e mallkuar që Zoti e di se sa do të zgjasë”.
“Nuk do të jetë një plan për t’i kënaqur të gjithë sot,” deklaroi Rama. “Nuk kemi askujt se kujt t’i shtrijmë dorën,” shtoi ai.
Duke iu referuar planeve në SHBA, Europë dhe vende të tjera për ndërhyrje masive në ekonomi, Rama tha se sipas opinionit të tij, “përrallat që tregohen nga Amerika nuk janë ashtu siç tregohen. I kanë ekonomitë me dhjamë.”
Shtatë pika
Rama e prezantoi planin e tij si një ide me shtatë pika, nga të cilat, 10 miliardë do të jepen për atë që ai e quajti “instrumenti garancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive në shlyerjen e pagave” por pa dhënë detaje se si do të funksionojë. Garancitë sovrane janë zakonisht tituj huamarrjeje që kompanitë duhet të marrin nga bankat për të përballuar krizën, por garancitë për shlyerjen e këtyre kredive jepen nga buxheti i shtetit.
Pika tjetër e madhe sipas Ramës është një fond me vlerë 6.5 miliardë lekë “për shtresat në nevojë për papunësinë apo biznesin e vogël”. Edhe për këtë pikë nuk u dhanë detaje se çfarë do të thotë.
Rama deklaroi se buxheti i shtetit do të alokojë 2.5 miliardë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë për blerjet e materialeve që mund t’i nevojiten gjatë “luftës” me koronavirusin ndërsa 1.5 miliardë lekë vendosi “t’i lërë rezervë” për Këshillin e Ministrave për t’i shpenzuar në varësi të situatës. Rama tha se do t’i jepte Ministrisë së Mbrojtjes 2 miliardë lekë për atë që ai e quajti “operacioni humanitar”.
Në fund, Rama deklaroi se kamatëvonesat që qytetarët kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të fshihen. Sipas tij, këto kamatëvonesa kanë vlerën e 150 milionë eurove./BIRN