Nga Anxhela Ferra
Një nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve veçanërisht gjatë ditëve të nxehta janë produktet ushqimore. Pavarësisht temperaturave shumë të larta tregtarët të cilët dalin në rrugë, shesin edhe produkte të bulmetit si qumështi, djathi apo gjalpi. Edhe pse ata shprehen se qëndrojnë për pak orë në rrugë, përsëri qytetarët thonë për Tirana Today se ndjehen të pasigurt për t’i blere.
“Na trembin shumë produktet që shiten e na duhet të blejmë. Ça nuk po bëhet tani, nuk janë aspak të sigurta atje ku i blejmë. Aq më pak këto që shiten në rrugë, por përsëri i blejmë sepse janë më lirë.”
“Në mënyrë absolute nuk duhet blerë sepse ato nuk kanë as etiketën. Në mënyrë që të kuptojmë afatet, vlerën, cilësinë, ruajtjen. Nuk janë aspak cilësorë. Unë në rrugë nuk marr, se tani është edhe vapë. Është shumë merak.”
“Unë më shumë produktet i blej në supermarkete, por ka dhe nga ato që i blej te tregtarët në rrugë. Siç është ajo domatja zemër kau, por se çfarë i ka hedhur dhe ai fshatari unë nuk di gjë. Por, i blej se më mban akoma ajo ideja e dikurshme. Unë edhe këto produktet e fshatarëve i kam merak, por çfarë të bëjmë duhet të hamë.”
“Nuk kemi asnjë lloj sigurie, na trembin, por ne nuk kemi çfarë të bëjmë. I marrim se nuk kemi çfarë të bëjmë.”
Produkte të tjera të cilat qytetarët hezitojnë të blejnë janë shalqiri, domatet apo bostani. Jo pak herë janë denoncuar në media raste të ndryshme ku produkte të tilla kanë qenë në kushte skandaloze. Duke rrezikuar jetën e qytetarëve, të cilët shprehen se më tepër janë duke i hedhur në mbeturina. Edhe pse çmimet e tyre janë duke u rritur çdo ditë e më tepër.
“Kam blerë para disa kohësh pjepër, ishte i madh si top dhe kur e hapa në mes kishte një njollë kafe si “kancer”. Nuk hahej fare. Një tjetër e mora dhe ishte si kastravec, as këtej e as andej. Ngelëm duke i hedhur. Por, ne jemi pensionistë, nuk i marrim që t’i hedhim. Ne themi t’i marrim e t’i hamë.”
“Na shqetëson shumë siguria ushqimore, sepse po dëgjojmë që asgjë nuk është tamam. Specat, sallata, domatet që përgjithësisht janë me damarë. Kemi shumë frikë.”
“Nuk dimë çfarë të marrim. Nga domatet kemi shumë frikë me thënë të drejtën, pasi nga brenda janë të bardha. Ke frikë t’i japësh fëmijës. As shalqi e as pjepër nuk marr unë tani në asnjë mënyrë. Kemi frikë me thënë të drejtën.”
“Kemi marr njëherë një shalqi dhe na ka dalë shumë i keq. Ishte me njolla, jo i ëmbël dhe sikur po hanim dru. Edhe çmimet janë të shtrenjta, por edhe ato nuk bëjnë si produkt. Jemi të sigurt kur nuk e marrim, pasi kur e blejmë duhet ta hedhin në mbeturina.”/ TIRANA TODAY