Një punonjës policie në Kakavijë është pezulluar sot nga detyra, pasi akuzohet se tentoi të kalonte jashtë radhe një makinë.
Me vendim të drejtorit të përgjithshëm është bërë i mundur pezullimi nga detyra i punonjësit A.Ç. Sipas policisë, polici ka tentuar të kalojë jashtë radhe një automjet me targa greke, për në shtetin fqinj.
Njoftimi i plotë:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë A. Ç.
Punonjësi i Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë, duke shpërdoruar detyrën, ka tentuar të kalojë jashtë radhe një automjet me targa greke, për në shtetin grek.
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për shkelje të rëndë.
Ndërkohë, për situatën e krijuar pas ndërhyrjeve të njëpasnjëshme të Drejtorit të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin tek homologët e policisë greke, këta të fundit kanë ndikuar në autoritetet shëndetësore greke dhe tashmë ka filluar të rritet lëvizja në drejtim të shtetit grek, pasi është shtuar personeli shëndetësor që kryen testet për COVID-19.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët për durimin, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin dhe fton cilindo që konstaton raste të abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të Policisë, të raportojë në 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.