Ish-kryeministri Sali Berisha, siç duket ka mbetur i pakënaqur nga pakti i arritur mes palëve për Reformën Zgjedhore. Në një intervistë për “Çim Peka LIVE”, ai i ka dhënë mesazhin e radhës kryedemokratit, që të mos mos hyjë në asnjë proces zgjedhor me Ramën kryeministër.
“Problemi është një gjë: kurrë ndonjëherë nuk më është lëkundur besimi i madh dhe mirënjohja ndaj qeverisë së SHBA. Zonja Kim, fillimi i saj, kjo marrëveshje ishte sukses. Kur ka një kryeministër që bëhet pengesë kryesore, ata u përpoqën dhe e zhbllokuan. Në sajë të saj sekretari Pompeo bëri një deklaratë, ftoi palët të votonin marrëveshjen”, tha Berisha.
Sa i përket zgjedhjeve në vend, Berisha përsëriti thirrjen e tij se me Ramën kryeministër ato nuk mund të jenë të lira.
“Kjo situatë është kaq e komplikuar sa pa largimin e Ramës, shqiptarët zgjedhje nuk do të kenë. Kush lexon raportin e ODIHR, çfarë i prish zgjedhjet? Thyerja e kritereve të Kopenhagenit. Berisha nuk respektoi asnjë klauzolë. Mediat nuk janë paraqitur kurrë si në këto zgjedhje. U shkel konventa ndërkombëtare e të drejtave të njeriut. Asnjë nuk u adresua. Duhet larguar Edi Rama. Në këto kushte të krehësh Edi Ramën është mision historik”, tha Berisha.
Berisha dha edhe një këshillë për opozitën: afrimin e elitës shqiptare nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk ka dyshim që do të jetë dhe shpresoj që Rama të mos shkojë në zgjedhje se në zgjedhje nuk ka shanse. Lulzim Basha ka njerëz, por opozita duhet me shpejtësi të kontraktojë elitën shqiptare në Europë dhe SHBA. Një elite e mrekullueshme.
Unë personalisht do ta quaja shumë të domosdoshme sjelljen dhe afrimin e tyre. Sot ka në çdo fushë nga më të shquarit. Shqipëria e ka jetike afrimin e një grupi të rinjsh se shkoi 8 vite prapa”, tha Berisha.
I pyetur nëse do të jetë deputet vitin e ardhshëm, Berisha u shpreh se nuk ka një projekt konkret, por shtoi se për të qenë në politikë nuk ka nevojë për mandat.