Situata në Shqipëri është përkeqësuar, teksa muajt e fundit është rritur numri i viktimave dhe i rasteve të reja me COVID-19.
Ndërkohë ashtu siç Shqipëria i qëndroi pranë Italisë kur ajo kishte më shumë nevojë, njëjtë po vepron edhe shteti fqinj!
Në mesin e pandemisë, Italia i “zgjat dorën” vendit tonë, teksa ofron ndihmën e saj.
Një ekip i Task Forcës së Emergjencave Civile Italiane, i përbërë nga 6 ekspertë, do të vijë sot në Tiranë për të zhvilluar një veprimtari konsulence dhe do të ndihmojë me qëllim formimin e veçantë të homologëve shqiptarë për çështje që kanë të bëjnë me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj koronavirusit.
Ekipi i ekspertëve italianë do të qëndrojë për 14 ditë në Shqipëri dhe bashkë me të do të vijë edhe një sasi prej 500.000 maskash kirurgjikale të llojit II, dhuratë e strukturës së Komisarit të Jashtëzakonshëm Arcuri.