Përgjimet e Antimafias italiane, Lala: SPAK i nisi hetimet që më 25 janar

Gazetarja Klodiana Lala ka folur në lidhje me hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për përgjimet e publikuara pak ditë më parë nga Antimafia Italiane, ku rezultonin të përfshirë edhe eksponentë të lartë në Shqipëri.

Teksa ishte e ftuar në emisionin ‘Opinion’ në ‘News24’ ajo tha se SPAK nuk është vonuar të nisë hetimet, por është vonuar ta shpallë atë zyrtarisht për shkak të mbledhjes së provave.

SPAK i ka nisur hetimet që më 25 janar, e bën me dije 10 ditë më pas por mendoj që ka pas disa arsye. SPAK ka deklaruar se janë në komunikim të vazhdueshëm me palën italiane.. Rezulton se hetimi u cel një ditë fill pas publikimit të përgjimeve për disa akuza të rënda, si “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Arsyeja kryesore ka të bëjë me një strategji të SPAK kur ka dyshime për një vepër penale grupi hetimor mund ta vendosë ata në përgjim, t’i hetojë në terren, pra mund ta ketë bërë këtë brenda 10 ditëve.

Dyshimi i dytë lidhet me faktin se SPAK deri në ato momente nuk kishte dokumente. Prokurorët udhëtuan në drejtim të Romës dhe morën materialet e dosjes në Romë, një dosje voluminoze. Kujtojmë që në Katanzaro ka pasur hetime për 3 vite e gjysmë. Besoj që ka biseda të tjera të përgjuara që ne nuk i dimë. Nga informacionet që kam, prokurori i Antimafias ka zhvilluar një bisedë të gjatë me palën shqiptare. Dosja voluminoze me sa di është në dorë të SPAK. Diskutohej për njerëz konkretë, personazhe konkrete, flitet për takime të mundshme, ndaj po mblidhen materiale për tendera të ndryshme, kalime në TIMS. SPAK dje tha se ka indicie dhe dyshime të forta se zyrtarë shqiptarë, por edhe të huaj kanë kryer aktivitet kriminal në vendin tonë.”, tha Lala.