Nga Guy Verhofstadt, “Project Syndicate”
Bruksel – Politikanët evropianë e kanë shndërruar në art tundjen e gishtit të tyre, më së fundmi ndaj presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, presidentit rus Vladimir Putin, dhe atij amerikan Donald Trump. Mjerisht, s’mund të thuhet e njëjta gjë edhe për aftësinë tonë për të formuluar zgjidhje politike, dhe zbatimin e politikave të përbashkëta.
Kriza e refugjatëve, e ka tronditur Evropën në thelbin e saj, pasi në vend të marrjes së përgjegjësive kolektive për menaxhimin e fluksit të emigrantëve dhe refugjatëve në kontinent, e kemi zhvendosur barrën kryesisht mbi shpinën e vendeve që gjenden në vijën e frontit. Dhe kjo e ka gërryer solidaritetin evropian.
Po kështu, paaftësia jonë për t’u bërë bashkë për të ndaluar krimet e luftës së presidentit sirian Bashar Al-Asad kundër popullit të tij, ka krijuar një boshllëk që Putin dhe Irani e kanë mbushur.
Udhëheqësit evropianë e ngrenë shumë shpesh zërin nga stoli, kur ata duhet të jenë në fakt në fushën e lojës, duke vepruar për të mbrojtur interesat e përbashkëta evropiane.
Dhe sikur të mos mjaftonte dështimi ynë për të siguruar stabilitet në lagjen tonë, kemi lejuar populistet e krahut të djathtë por edhe dhe lëvizjet nacionaliste të fitojnë terren në gjirin e vetë Bashkimit Evropian.
Këto lëvizje, të nxitura në mënyrë aktive nga Rusia, kanë prodhuar liderë politikë vendas që ngjajnë frikshëm – dhe jo çuditërisht – me Putin dhe Erdogan.
Udhëheqësi fakt i Polonisë, Jarosllav Kazinski, dhe kryeministri hungarez Viktor Orban, në veçanti, kanë qenë më të ethshmit në ndërtimin e shteteve anti-liberale brenda BE-së.
Që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2010, Orban e ka përdorur shumicën e tij të madhe parlamentare, për të rishkruar kushtetutën e Hungarisë për qëllimet e tij.
Me sa duket, fitimi i zgjedhjeve nuk është diçka e mjaftueshme për të. Ai dëshiron tashmë të zhbëjë vlerat liberale që përkrahte dikur si një politikan i ri i qendrës, dhe çimentuar kontrollin e tij mbi procesin politik në vend.
Gjatë viteve të fundit, ai e ka ndjekur këtë projekt nëpërmjet mjeteve të ndryshme dhe të pamëshirshme.
Qeveria ngacmon apo bastis rregullisht shoqërinë civile dhe organizatave joqeveritare.
Mediat që bëhen zëdhënëse të propagandës së Orban përfitojnë ulje taksash, ndërsa ata që e kritikojnë taksohen aq shumë sa që përfundimisht detyrohen të heqin dorë.
Kjo do të thotë se paratë e BE-së, janë duke u përdorur në mënyrë efektive për të nxitur euroskepticizmin.
Në atë që është vetëm vala e fundit e zemëratës, qeveria e Orban është duke u përpjekur të mbyllë Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest.
Edhe pse CEU, i themeluar nga investitori dhe filantropisti hungarezo-amerikan Xhorxh Soros, dhe i udhëhequr nga studiuesit i të drejtave të njeriut dhe ish-lideri kanadez i opozitës, Majkëll Ignatief ka vetëm 26 vite jetë, shumica e departamenteve të tij renditen tashmë në mesin e 50 më të mirëve në botë.
Megjithatë, Orban ka refuzuar të dialogojë me Ignatief; rrjedhimisht, universiteti mund të detyrohet të mbyllet në fund të këtij viti. Në një mënyrë të hollë autokratike, Orban është përpjekur të shpifë mbi CEU, përmes raportimeve histerike rreth financimit të huaj të universitetit.
Dhe, për shkak se dëshiron ta portretizojë universitetin si “jo hungarez”, ai zakonisht harron qëllimisht të përmendë faktin se ka përfituar vetë një bursë të financuar nga Soros për të studiuar në Universitetin Oksford, menjëherë pas rënies së regjimit komunist në Hungari. Sulmi i Orban ndaj Universitetit të Evropës Qendrore, shkon përtej një shkelje të lirisë akademike.
Tashmë që ka dobësuar Gjykatën Kushtetuese të Hungarisë dhe shtypin e lirë, ai dëshiron të minojë vetë mendimin kritik.
Nëse ka sukses, do të ketë zhdukur edhe një tjetër mekanizëm të kontrollit mbi pushtetin e tij.
Dhe, me mbylljen e një institucioni të tillë të shquar të mbështetur nga SHBA-ja, ai mund të dërgojë mesazhin se cilido që i ka rezistuar, nuk ka fituar.
Despotët kanë përdorur të njëjtën taktikë gjatë gjithë historisë. Por Orban është duke vepruar kështu në BE-në e vitit 2017.
Ia vlen të kujtohet se për t’iu bashkuar unionit, Hungaria duhej të përmbushte kriteret e rrepta të anëtarësimit, duke përfshirë institucionet e besueshme demokratike dhe respektimin e sundimit të ligjit.
Fakti që këto standarde të larta, janë tanimë duke u gërryer sistematikisht, përbën një paradoks për BE-në.
Pasi një vend fiton anëtarësimin në union, mund të bëhet shumë pak për të siguruar që ai të ruajë standardet demokratike dhe përkrahë vlerat evropiane.
Komisioni Evropian mund të nisë disa hetimet mbi disa nga “shkeljet procedurale” të Hungarisë; dhe Orban thjesht do t’i shpërfillë ato me një ngërdheshje ironike.
Pas muajsh diskutimesh me zyrtarë të qeverisë hungareze, opsioni i vetëm i BE-së tani është që të thërrasë nenin 7 të Traktatit të Lisbonës, i cili në fund të fundit mund t’i heqë Hungarisë të drejtën e votës brenda BE-së.
Thirrja e nenit 7 nuk është një “opsion bërthamor”, sikurse pretendojnë disa. Përkundrazi, është përgjigja logjike ndaj qeverisë së një vendi anëtar, që ka shkelur në mënyrë të përsëritur, të drejtat themelore të qytetarëve dhe vlerat e BE-së.
Më herët gjatë këtij muaj, anëtarë thellësisht të shqetësuar të Parlamentit Evropian, pas dy përpjekjeve të mëparshme, miratuan më në fund një rezolutë që do t’i hapë rrugën sanksioneve të BE-së kundër Hungarisë.
Nga këndvështrimi i parlamentarëve evropianë, s’ka asnjë arsye se përse sanksionet nuk mund të zbatohen shpejt. Komisioni Evropian, ka dokumentuar tashmë faktet e rastit kundër Hungarisë, të plotësuara me argumente dhe kundër-argumente.
Nëse dy të tretat e deputetëve i miratojnë sanksionet tani, dosja do t’i përcillet Këshillit Evropian – moment në të cilin krerët e shteteve evropiane s’do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të trajtojnë këtë çështje.
Besueshmëria e Evropës tashmë është e rrezikuar, për shkak se disa prej udhëheqësve të saj mbajnë qëndrime të paqarta ndaj Erdogan, Trump, dhe Putin. Por hezitimi për të reaguar ndaj shkeljeve të Orban, do të ketë kosto edhe më të rënda në një periudhë afatgjatë.
Ne evropianët, duhet të aspirojmë për të qenë më shumë se sa thjesht pjesëmarrës në një treg të brendshëm. Ne kemi nevojë të restaurojmë komunitetin e bazuar tek vlerat, që dikur na ndihmoi të rrëzojmë diktatorë si Francisco Franko, Antonio de Olivier Salazar dhe kolonelët grekë, si dhe për të bashkuar Evropën pas rënies së komunizmit.
Një komunitet i bazuar tek vlerat nuk ka vend për qeveri të tilla si ato që tashmë sundojnë Hungarinë dhe Poloninë.
BE-ja duhet të thërrasë nenin 7 sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe me shumicën më të gjerë të mundshme në mesin e vendeve anëtare. Dhe, pas Orban, ne duhet të kthejmë kokën nga Kazinski.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
Shënim: Guy Verhofstadt, ish-kryeministër i Belgjikës, është Kryetari i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Grupin e Evropës (ALDE) në Parlamentin Evropian, dhe autor i librit “Shansi i fundit:Pse shtetet evropiane duhet të formojnë një union më të përsosur”.