Nga: Herve Morin, Paul Benkimoun & Chloé Hecketsweiler “Le Monde”
Përballë një virusi siç është Sars-Cov-2, kundër të cilit nuk ka ende një vaksinë apo kurë me një efikasitet klinikisht të provuar, cilat do të jenë efektet e masave që nuk mbështeten mbi ilaçet, për të ulur vdekshmërinë dhe presionin mbi sistemet shëndetësore?
Një grup studiuesish nga Kolegji Mbretëror i Londrës, i udhëhequr nga Neil Ferguson, i specializuar mbi modelet e sjelljes së epidemive, dhe që ka ekzaminuar rastet e deritanishme në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, u përpoqën që t’i përgjigjen kësaj pyetje.
Dhe përgjigja të ngjeth mishin: pavarësisht nga strategjitë e zbatuara, koronavirusi i ri do të sjellë pasoja të rënda dhe afatgjata në këto vende, dhe të tjera me tipare të ngjashme. Për më tepër, masat e rrepta të zbatuara deri më tani, nuk do të parandalojnë një valë të re të infeksioneve të mundshme.
Neil Ferguson, ka krahasuar 2 mundësi që janë në dispozicion të liderëve politikë, duke e hedhur poshtë hipotezën “laisser-faire” (ta lëmë virusin të bëjë ç’të dojë), e cila sipas vlerësimeve të tij do të shkaktonte 510 mijë të vdekur në Britani dhe 2.2 milion në Shtetet e Bashkuara, me një kulm të vdekshmërisë midis fundit të majit dhe fillimit të qershorit.
Të dy opsionet janë zbutja dhe shtypja, dhe parashikojnë 5 lloje ndërhyrjesh:izolim të rasteve të konfirmuara në shtëpitë e tyre; karantinë për familjet e tyre; distancim social për njerëzit mbi 70-vjeç; distancim për gjithë popullatën; mbyllje e shkollave dhe universiteteve.
Opsioni i parë, zbutja, nuk synon parandalimin e qarkullimit të virusit, por zbutjen e efekteve të epidemisë mbi sistemin shëndetësor. Për ta arritur këtë, u shqyrtuan ndërhyrje të ndryshme, siç është karantimi i rasteve të konstatuara dhe familjeve të tyre, mbyllja e shkollave, dhe masa pak a shumë të gjera të distancimit social.
Në këtë skenar, imuniteti i popullatës forcohet me përhapjen e epidemisë, duke çuar përfundimisht në një ulje të numrit të rasteve. Kjo ishte pak a shumë zgjedhja e qeverisë së Boris Xhonsonit në Britaninë e Madhe deri disa ditë më parë, bazuar në teorinë e fitimit të imunitetit kolektiv, kur preket një përqindje e mjaftueshme e popullsisë.
Frenimi i përhapjes, është tani për tani është e vetmja strategji e mundshme. Efektet sociale dhe ekonomike do të jenë të mëdha. Mundësia e dytë, ajo e kontrollit të përhapjes, synon të sigurojë që çdo person i infektuar t’i transmetojë koronavirusin më pak se 1 personi, duke çuar kësisoj në zhdukjen e epidemisë.
Kjo qasje autoritare, e përdorur në fillim nga Kina, presupozon ndërmarrjen e masave ekstreme, të cilat mund të çojnë në izolimin e gjithë popullatës. Por edhe pas 5 muajsh në këto kushte, epidemia ka të ngjarë që të rifillojë, në rast se hiqen masat kufizuese.
Studiuesit e Kolegjit Mbretëror, hartuan një strategji në të cilën masat e ‘shtypjes’ së koronavirusit lehtësohen në mënyrë graduale, dhe pastaj rivendosen prapë, në rast se sistemet spitalore vihen sërish nën presion. Në Britani, këto masa duhet të mbeten në fuqi në 2/3 e kohës që duhet për të prodhuar një vaksinë (e cila nuk pritet para 12-18 muajve), dhe do të krijonte vështirësi të mëdha për përshtatjen dhe komunitetin.
“Në skenarët më optimistë, ‘zbutja’ nuk do të parandalonte një rritje të rasteve që do të arrinin deri në 8 herë më shumë sesa numri i shtretërve të disponueshëm në spitale dhe njësi të kujdesit intensiv”- shkruajnë studiuesit. Edhe nëse sistemet shëndetësore, arrijnë të kujdesen për të gjithë pacientët, në Britani do kishte afro 250.000 të vdekur dhe deri në 1.2 milionë në Shtetet e Bashkuara.
Ferguson dhe kolegët arrijnë në përfundimin se frenimi “është tani për tani e vetmja strategji e mundshme”. Studiuesit vërejnë se disa vende, kanë marrë tashmë masa shumë kufizuese, dhe se ato vende ku epidemia është ende në një fazë të hershme, sikurse është Britania, duhet të ndërmarrin sa më shpejt masa të ngjashme”.
Por piku i pandemisë është ende larg. Këto përfundime alarmante, vijnë nga studimi i laboratorit Inserm në Universitetin e Sorbonës, të drejtuar nga Vitoria Kolica, që hedh dritë mbi efektivitetin dhe kufizimet që ka mbyllja e shkollave dhe përhapja e punës nga distanca.
“Në 15 ditët e arshshme, do të shohim nëse masat që kanë hyrë në fuqi në Francë, do të funksionojnë për të frenuar përhapjen e epidemisë, por kulmi është akoma larg. Këto masa do të duhet të qëndrojnë në fuqi në vend për shumë kohë, për të lejuar zhvillimin e ‘imunitetit të tufës’, në mënyrë që të frenohet mundësia e një epidemie të re”- vëren studiuesja.
Më 12 mars, komiteti shkencor i qeverisë franceze për Covid-19, theksoi se në të kaluarën modelet mbi epidemitë “bënin parashikime të ekzagjeruara”. Por rezultatet e studimit të Fergusonit mbi rastin e Francës, janë mëse të qarta. Dhe për të shmangur një valë të madhe vdekjesh, ekspertët rekomanduan masa “më detyruese”, duke kujtuar se “për një virus si Sars-CoV-2, kontaktet sociale duhet të zvogëlohen me të paktën 60 për qind”.
Modelet e Ferguson, patën efektin e një shoku elektrik: më 12 mars presidenti francez Emanuel Makron, njoftoi mbylljen e shkollave, dhe më 14 mars atë të dyqaneve, bareve dhe restoranteve. Më 16 mars, shkencëtarët francezë ishin ende të alarmuar nga “mungesa e perceptimit të seriozitetit të situates tek një pjese të popullatës franceze”, duke nënvizuar se sjelljet nuk kishin “ndryshuar sa duhet”. Disa orë më vonë, u njoftua izolimi për të gjithë francezët.
TIRANA TODAY