Gjatë ditës së sotme, në orën 18:00 do të mblidhet Kryesia e PD, ku pritet që të merren një sërë vendimesh të rëndësishme. Kryedemokrati Lulzim Basha do të ndryshojë Kryesinë, nënkryetarët, kreun e Grupit Parlamentar, kreun e Këshillit dhe sekretarët. Me mjaft interes pritet nëse do të ketë një qëndrim nga Partia Demokratike, sa i përket ish-kryeministrit Sali Berisha dhe hyrjes së tij në Parlament.
Kjo çështje do të shkaktojë debate në Këshillin Kombëtar, pasi do të jetë Fatbardh Kadilli ai i cili do e shtrojë këtë çështje për diskutim. Më herët, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ia bëri të qartë kreut të PD se ai duhet të kontrollojë mirë listat e deputetëve që do të hyjnë në Parlament. Pasi sipas saj, në atë sallë duhet të jenë përfaqësues të denjë të qytetarëve.
Po ashtu Kim i dha edhe një ultimatum tjetër Bashës ku shprehej se PD nuk duhet të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu, duke iu referuar kështu Berishës.
Lidhur me këto mesazhe të qarta, nga ana e Bashës ka patur vetëm heshtje. Sakaq, ish-kryeministri Berisha prej kohësh ia ka përcjellë mesazhet Bashës, se nuk duhet të tentojë ta largojë nga grupi parlamentar. Ai u shpreh se mandatin ia kanë dhënë qytetarët, dhe se Basha nuk ka forcë t’ia heqë.