Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka akuzuar Ramën se po bën propagandë në kohë përmbytjesh me deklaratat e tij lidhur me ekonominë.
Sipas Tabakut, numri i të punësuarve është vetëm sa 1/10 e premtimit elektoral të Ramës, ndërsa shtoi se nuk është e vërtetë që janë hapur 260 mijë vende pune.
Deputetja shtoi se gjatë qeverisjes së Ramës ka vetëm dy tregues me rritje të fortë: taksat për 90% të shqiptarëve dhe ekonomia informale ku qarkullon paraja e krimit dhe drogës.
Gjatë deklaratës së saj për mediet, deputetja tha se shqiptarët paguajnë 1.5 miliardë euro taksa më shumë se 5 vite më parë dhe se rritja ekonomike është në pikëpyetje.
Fjala e Tabakut:
Deklaratat për ekonominë janë propagandë në kohë përmbytjesh. Nuk është e vërtetë që në mandatin e parë, qeveria e Edi Ramës hapi 260 mijë vende të reja pune. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it që kontrollohet nga qeveria, numri i të punësuarve në 4 vjet është vetëm 30 mijë ose ndryshe sa 1/10 e premtimit të tij elektoral, tregues i një ekonomie që nuk lëviz dhe e ka përqëndruar paranë vetëm në disa duar. Gjatë qeverisjes së Edi Ramës, ka vetëm dy tregues me rritje të fortë, taksat për 90% e shqiptarëve dhe ekonomia informale ku qarkullon paraja e zezë, paraja e krimit, e drogës dhe korrupsionit. Gjatë këtyre viteve, në çdo buxhet që kjo qeveri solli pati rritje taksash për bizneset e vogla e të mëdha, për qytetarët, për pensionistët. Sot ne paguajmë 1.5 miliardë taksa euro më shumë se 5 vite më parë. Çdo ditë mbyllen 40 biznese nga pamundësia për të mbijetuar në një treg të pabarabartë. Sot ekonomia më e madhe informale është ajo e drogës, kështu që është e kotë që Ahmetaj të ulet me bizneset për të diskutuar se si mund të ulet informaliteti.
Sot 1.2 miliard euro vijnë vetëm si rezultat i drogës, rritja ekonomike në Shqipëri është në pikëpyetje sepse vjen e gjitha nga sektori i ndërtimit, ku Banka e Shqipërisë thotë se nuk dihet kush janë burimet e financimet. Sot përballemi me një informalitet në rritje, ku 60% e të punësuarve janë informalë. TIRANA TODAY