Kryetari i PD-së Lulzim Basha sot zhvilloi një takim me kreun e Parlamentit Evropian David Sassoli-n.
Pas takimit, Basha ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Ai shprehet i lumtur që takoi “mikun e Shqipërisë, Presidentin e Parlamentit Europian z. David Sassoli”.
Reagimi i plotë i Bashës: “I lumtur të takoja mikun e Shqipërisë, Presidentin e Parlamentit Europian z. David Sassoli dhe të merrja prej tij konfirmimin se, personalisht dhe institucionalisht, do të jetë një mbështetje e fuqishme dhe e vazhdueshme për rrugën europiane të Shqipërisë dhe përparimin demokratik të vendit tonë.
I konfirmova se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar po bën gjithçka që aspirata e qytetarëve shqiptarë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian të bëhet realitet sa më parë.
Bashkimi Europian dhe respektimi i vlerave europiane është e ardhmja e vetme e Shqipërisë, pavarësisht krizës që vendi po kalon!
Mirënjohje Presidentit Sassoli dhe Parlamentit Europian për mesazhin shpresëdhënës se populli shqiptar ka patur dhe do të ketë gjithmonë mbështetjen e Europës”.