Bota

Pas privatësisë, teknologjia ka “vjedhur” edhe fytyrën tonë


               Publikuar në : 15:29 - 26/07/19 S.N

Nga Sidney Fussell “Internazionale”

Tashmë fytyra jonë, nuk është më vetëm e jona. Gjatë një ndeshje futbolli, fytyra juaj është “monedha” që ju përdorni për të blerë ushqim. Në një qendër tregtare, ajo është një libër, që i bën me dije shitësve, se cilat kanë qenë blerjet tuaja të shkuara, si në internet ashtu jashtë tij, apo edhe preferencat e këtyre blerjeve. Në një protestë, ajo është lista e herëve kur ju jeni arrestuar nga policia. Në morg, është mënyra se si autoritetet do ta identifikojnë trupin tuaj.

Teknologjia e njohjes së fytyrës, synon ta transformojë jetën tonë sociale, duke ndjekur çdo lëvizjen tonë për llogari të kompanive tregtare, agjensive të zbatimit të ligjit, dhe cilindo tjetër që disponon mjetet e duhura. Ligjvënësit, janë duke peshuar rreziqet përkundrejt përfitimeve. Pak kohë më pas, pati një valë propozimesh mbi këtë çështje në shtetet e Uashingtonit, Masachusetsit Oaklandit dhe Kongresit amerikan.

Në muajin maj, republikanët dhe demokratët në komitetin e mbikëqyrjes së reformimit të Kongresit, dëgjuan për orë të tëra dëshmi mbi mënyrën se si njohja e fytyrës e padisiplinuar në ndonjë ligj, po i skedon protestuesit, po ndikon në sistemin penal të drejtësisë, dhe po shton paragjykimet racorenë SHBA. Të habitur nga kjo situatë, ata ranë dakord të punojnë së bashku për ta rregulluar atë.

“Koha është tani, para se situata të dalë jashtë kontrollit”- tha republikani Mark Medous. Marrëveshja është e rëndësishme, në një moment politik të diktuar nga polarizimi i skajshëm, por në këtë rast me një gur u “vranë” 2 zogj. Microsoft dhe Amazon, përkatësisht krijuesit e ‘Face API’ dhe Software të njohjes së fytyrës, i kanë miratuar rregulloret federale.

Në qershor, Axon, prodhuesja kryesore e kamerave të sigurisë në Shtetet e Bashkuara, ra dakord me propozimin e bordit të etikës, për të mos i pajisur kamerat e saj me njohjen e fytyrës (të paktën në të ardhmen e afërt). Presidenti i Microsoft, Brad Smith, i bëri thirrje vitin e kaluar qeverive në të gjithë botën, “të nisin miratimin e ligjeve, për ta rregulluar ligjërisht përdorimin e kësaj teknologjie”.

Ndërsa drejtori i “Amazon Web Services” Andy Jassy i bëri jehonë këtyre komenteve në qershor, duke e krahasuar teknologjinë me një thikë me dy presa. Mesazhi i tyre është i qartë: Këto gjëra janë të rrezikshme. Por në thelb, Jassy dhe Smith, duket se argumentojnë gjithashtu se ky është një realitet i pashmangshëm.

Por në këtë apel, Microsoft dhe Amazon kanë përdorur një truk, që në fakt e përdorin rëndom:Në vend se të debatojnë nëse njohja e fytyrës, duhet të praktikohet gjerësisht, ato e kanë fokusuar debatin tek mënyra sesi duhet të funksionojë një praktikë e tillë.

Amazon thotë se është duke punuar me studiuesit, ligjvënësit, dhe klientët e vet “për të kuptuar se si të balancohen si duhet të “mirat” e njohjes së fytyrës, me rreziqet e mundshme”, duke vënë në dukje se njohja e fytyrës ka një shumëllojshmëri përdorimesh, duke përfshirë luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe gjetjen e personave të zhdukur.

Por disa ekspertë të privatësisë, besojnë se kompanitë kanë motive të fshehta. Evan Selinger, profesor i filozofisë në Institutin e Teknologjisë në Roçester, akuzon Microsoft dhe Amazon se po përpiqen të “zbehin motivimin” për miratimin e rregulloreje të rreptë.

Ai argumenton se kompanitë, po nisin miratimin e rregulloreve në nivelin federal, sepse ligjet kombëtare shkruhen në mënyrë tipike për të qenë masa mbi atë çka është rregulli bazë, dhe jo se deri ku mund të shkojë liria e veprimit në atë fushë. Pa rregullim, potenciali për keqpërdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës është i madh, veçanërisht për njerëzit me ngjyrë.

Në vitin 2016, studiuesi i MIT Joy Buolamwini botoi një studim që tregonte se teknologjia performon më mirë tek njerëzit që e kanë ngjyrën e lëkurës të bardhë, sesa tek ata me ngjyrë të errët. Rezultatet më të këqija, janë ato për gratë zezake.

I tillë ishte rasti i Elijah Cummings, një homoseksual nga Baltimora, fytyra e të cilit u skanua kur ai mori pjesë në një tubim në vitin 2015, në kujtim të Freddie Grey, adoleshentit zezak që vdiq nga plagët e marra gjatë arrestimit nga policia. Departamenti i Policisë në Baltimorë, e përdori njohjen e fytyrës për të identifikuar protestuesit, dhe për të kapur ndonjërin për të cilin kishte mandat arresti.

Shumica e protestuesve ishin zezakë, çka do të thotë se softueri i përdorur, mund të ketë qenë më pak i saktë, duke e rritur mundësinë e identifikimit të gabuar. Deri më tani, kompanitë e teknologjisë kanë arritur të diktojnë kushtet e debatit mbi njohjen e fytyrës. Por këto mund të jenë ditët e fundit, kur ne zotërojmë ende fytyrat tona./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT