Editorial - Opinione

Partitë ekstremiste të Evropës nuk do ta zgjidhin dot krizën e emigrantëve

               Publikuar në : 10:30 - 13/06/19 S.N

Nga James Sutton, “National Riview”

Zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian, nxorën zbuluar polarizimin në rritje të opinionit publik, mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian. Me suksesin e madh të partive nacionaliste si Tubimi Kombëtar në Francë, dhe Alternativa për Gjermaninë në Gjermani, si dhe përkrahësit entuziastë të BE-së, si të Gjelbrit dhe Liberal Demokratët, votuesit kanë dhënë sinjale se peizazhi politik po bëhet më i fragmentuar, mes atyre që janë të zemëruar me Brukselin, dhe atyre që e mbështesin plotësisht BE-në.

Pjesa më e madhe e lajmeve në media, lidhet me rritjen e vazhdueshme të partive populiste dhe nacionaliste të së djathtës, me pakënaqësinë e tyre në rritje për shkak të vendimit të kancelares gjermane Angela Merkel në vitin 2015, për të hapur kufijtë e Gjermaninë ndaj refugjatëve.

Por është reagimi kundër emigracionit, një revoltë kundër vetë projektit të BE-së? Jo tamam. Në fakt, kjo është një histori e shanseve të humbura për unionin.

Bashkimi Evropian, duhet ta kishte bërë Evropën më të mirë, dhe jo më të keqe, në aspektin e trajtimit të krizës së emigrantëve. Një bllok vendesh me një popullsi prej 508 milionësh, duhet të kishte qenë në gjendje të thithte një valë emigrantësh që përfshinte 1 milion njerëz, në vitin e tij të pikut, më 2015-ën.

Shifrat aktuale të emigrantëve të rinj, janë shumë më të ulëta. Megjithatë, Evropa nuk i përthithi refugjatët si një bllok. Përkundrazi, disa vende – Gjermania, Suedia, Italia – përballuan pjesën më të madhe të barrës, pasi vendet e tjera, duke përfshirë Hungarinë, Poloninë dhe Sllovakinë refuzuan të pranonin emigrantët në shifra që u takonin, në bazë të numrit të popullsisë.

Analisti Michael Barbaro, pohoi vitin e kaluar se vendimi i Gjermanisë për të shpërfillur rregullat e BE-së, dhe pranuar shumë se 1 milionë refugjatë, ishte një “triumf i projektit evropian, dhe afirmim përfundimtar i vlerave të BE-së”.

Dhe në një farë mënyre, ai ka të drejtë. BE, e ngritur mbi hirin e një Evrope të shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore, tregoi faqe të gjithëve një Evropë më humane, më pak të dhunshme, që mban premtimet për respektimin e të drejtave të njeriut dhe përparimin ekonomik.

Në fakt, ishin dështimet e BE-së ne menaxhimin e kësaj krize, ato që e çuan Merkelin të merrte vendimin e saj për të mirëpritur një numër kaq të madh refugjatësh. Ndërkohë, populistët dhe euroskeptikët, e kanë gabim kur akuzojnë BE se po nxit emigracionin e pakontrolluar, që nga ana e tij do të shkaktojë erozionin e “identitetit evropian”.

Veprimet e njëanshme të shteteve individuale, e dëmtuan BE-në më shumë se çdo lloj rregulloreje, e nxitur nga mungesa e efektivitetit të unionit, në organizimin një përgjigje të bashkuar. Dhe duket se evropianët, i përjetojnë ende me një zell të shëndetshëm (apo ndoshta të sëmurë) identitetet e tyre kombëtare, dhe kjo shihet tek rritja e partive nacionaliste.

Sot dallimi midis Spanjës dhe Sllovakisë, është ende shumë më i madh se sa ai mes Virxhinias dhe Uashingtonit në SHBA. Sigurisht, emigracioni nuk është i vetmi shqetësim që ngrenë euroskeptikët. Rregulloret e ndërlikuara, një defiçit demokratik dhe zemërim me elitat që lidhen me projektin e BE, janë të gjitha më të çështjet e rëndësishme sipas sondazheve më të fundit.

Por natyrisht që emigracioni është kryesorja, dhe valët e emigrantëve nuk po zhduken. Edhe nëse Lindja e Mesme ka aktualisht një ngadalësim relativ të dhunës, popullata afrikane po rritet me nje shpejtësi të frikshme, çka do të rrisë ndjeshëm fluksin e emigrantëve në kufirin jugor të Evropës.

Qeveritë perëndimore, mund të bëjnë shumë pak për këtë dukuri, përveç përpjekjes për të inkurajuar zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin politik në kontinentin afrikan. Por suksesi i partive euroskeptike dhe “europtimiste” në zgjedhjet e fundit evropiane, nuk ndihmon në hartimin e shpejtë të një përgjigje efektive evropiane.

Impulsi liberal për të lejuar nivele jashtëzakonisht të larta të emigracionit, dhe etiketimi si racistë i atyre që e vënë në dyshim këtë lloj politike (ndonjëherë me të drejtë), dhe injorimi i tendencës sociale që ajo sjell, është provuar tashmë të jetë i gabuar.

Por nacionalistët euroskeptikë, kanë minuar dhe do të vazhdojnë të dëmtojnë përpjekjet e BE-së për të frenuar dhe menaxhuar migracionin, nëpërmjet kundërshtimit të iniciativave të tilla siç janë kuotat e zhvendosjes. Natyrisht, as partitë tradicionale të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë, nuk kanë qenë modele të bashkëpunimit mbi këtë çështje.

Ngurrimi i tyre dhe zvarritja e vendimmarrjes, vetëm sa e ka shtuar mbështetjen për nacionalistët. Ndoshta BE-ja është thjesht shumë e ngathët dhe e çoroditur, për të zgjidhur një problem të këtyre përmasave, dhe ndoshta përpjekjet për një integrim më të madh politik, janë gjithmonë delikate.

Por pavarësisht nëse shtetet anëtare, do të kenë apo jo një bashkëpunimin serioz mbi emigracionin, kriza do të vazhdojë. Veprimi kolektiv nëpërmjet BE-së, mbetet ende larg shpresës më të mirë për ballafaqimin me sfidën e migrimit. Italia u përpoq të patrullojë vetë Mesdheun dhe dështoi. Gjermania i hapi kufijtë e vet, dhe ka kërcënuar kohezionin e BE-së. Shtetet evropiane, nuk do ta kalojnë dot këtë krizë, duke vepruar të ndara./ Përktheu për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT