Zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi ka reaguar lidhur me draft- opinionin e Komisionit të Venecias e cila rrëzoi Paketën Anti-Shpifje.
Përmes një postimi në Facebook, Bludhi thotë se ky vendim konfirmoi se qëndrimi i presidentit Meta ishte i drejtë.
Sipas tij, paketa anti- shpifje është anti- kushtetuese teksa rendit edhe 5 arsyet se pse ajo bie në kundërshtim me ligjet.
Postimi i plotë:
Ashtu sikundër pritej, Komisioni i Venecias ka konfirmuar qëndrimin e drejtë të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për paketën anti-kushtetuese të ligjeve “anti-shpifje”.
Siç është sqaruar edhe me dekretet e Presidentit Meta, këto ligje jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me:
– Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;
– Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;
– Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;
– Nuk janë në harmoni me standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;
– Nuk janë në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ)
Pa garantuar lirinë e shprehjes nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim.
LIRIA DHE PAVARËSIA E MEDIAS E PARA!