Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka bërë sot një dalje publike ku i është përgjigjur edhe disa pyetjeve lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar.
Sa i përket një referendumi që mund të ishte mbajtur lidhur me shembjen e godinës së teatrit, Veliaj tha se nuk ka pasur asnjë kërkesë për një gjë të tillë.
Sipas Veliajt, edhe nëse çështja do të kalonte në referendum, ai do të ishte politik, teksa thekson se kreu i PD-së dhe kryetarja e LSI-së kanë vjedhur kauzën.
“Për këtë duhet të pyesni ata që kundërshtojnë projektin. Nuk kanë aplikuar kurrë për referendum, s’ka sot asnjë kërkese që ata kërkuan një referendum. Madje edhe po të kishim një referendum do të ishte një referendum politik. Në momentin që Mona dhe Luli kanë vjedhur kauzën, atëherë ky kthehet në një referendum politik.
Dhe meqë ra fjala ne kishim një referendum politik, në vitin 2019, apo edhe më herët në vitin 2018 dhe sfida që mu bë ishte se do ta shihja në zgjedhje. Dhe thashë çfarë do shoh? Do të shohësh se është referendum për teatrin. Madje në fushatë, në çdo takim kam thënë: Do bëjmë Teatrin, do bëjmë Astirin, do bëjmë Piramidë.
Unë e pranova sfidën për referendum, u paraqita në referendum dhe mora të gjitha votat si në vitin 2015. Nëse kjo pakicë, çadra nr. 2, do kishte interes për këtë referendum do kishte ardhur. Në momentin që braktis këtë referendum, braktis këshillin, braktis kuvendin, ti nuk mund të thuash përse vazhduat. Çfarë do të bëjmë, do të presim një referendum tjetër ku ti prapë mund të mos vish? Dhe sa kohë që në disa zgjedhje humbet dhe në disa platforma vendimmarrëse bojkoton çfarë garancie kam unë që ti do vish në referendumin tjetër? Ty sondazhet mund të mos dalin kurrë pozitivisht në Tiranë siç nuk të kanë dalë. Çfarë do bëjmë ne do anulojmë ndeshje, zgjedhje, referendume? Është si ajo shprehja që thonë italianët: sheshet plot, kutitë bosh. Mund të kesh sheshe plot me histeri, e pashë dhe histerinë e djeshme, por është kutia që vendos”, tha ai.