Epidemiologu Erion Dasho dhe kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, kanë debatuar mbrëmjen e sotme në emisionin ”Çim Peka Live” në Syri Tv, në lidhje me shifrat e pandemisë së koroanvirusit në vend.
Dasho u shpreh se Brataj nuk është epidemiolog dhe nuk ka asnjë parashikim për situatën epidemiologjike, teksa shtoi se në Shqipëri janë shkaktuar 16 mijë viktima nga Covid-19, një shifër e ndryshme nga ajo e raportuar nga autoritetet.
Nga ana tjetër, Brataj tha se Dasho thotë gënjeshtra dhe theksoi se në vend nuk janë regjistruar vdekje nga covid në kohët e fundit.
Pjesë nga debati
Erion Dasho: ”Zoti Brataj dhe kolegët e tij kanë qenë zëdhënës të qeverisë. Në Shqipëri janë 16 mijë vdekje nga Covid. Unë flas me shkencën time epidemiologjike dhe nuk është shkenca e urgjencës. Ti nuk je epidemiolog. Nuk të ka dalë asnjë parashikim. Duhet të dëgjosh ekspertët. Për Urgjencën i heqim kapelën Bratajt, por jo për epidemiologjinë.”
Skënder Brataj: ”Mos thuaj gënjeshtra tani e thua pastaj mos më ndërprit. Nuk më duket normale që të flasim për vdekje, kur nuk ka vdekje në kohët e fundit nga Covid. Unë jam profesionist e nuk jam politikan, nuk marr urdhra nga politikanë. Nuk them se jam epidemiolog, por kam kaq njohuri sa të flas edhe për epidemiologjinë.”