Emina Cunmulaj është një ndër modelet shqiptare më të famshme e cila tashmë ka ndërtuar jetën e saj në SHBA dhe është nënë e dy vajzave. Përpos jetës që bën, Emina është shumë e komentuar për shkak të bamirësisë që bën dhe angazhimit të saj me fondacionin “Fundjavë Ndryshe”.
Këtë fundjavë Emina ka zgjedhur të lumturojë 27 fëmijë. Në bashkëpunim me “Fundjavë Ndryshe”, kanë dërguar në plazh për herë të parë këta fëmijë, shumica e të cilëve u janë ndërtuar shtëpitë apo kanë përkrahje të vazhdueshme nga fondacioni.
“Sot ishte një ditë e mbushur me lumturi dhe gëzim. 27 fëmijë të moshave 5-13 vjeç panë për herë të parë detin dhe notuan për herë të parë në jetën e tyre. Shumica e tyre janë fëmijë që @fundjavendryshe dhe të gjithë ju keni ndihmuar në ndërtimin e shtëpive të tyre, ushqyer dhe veshur. Faleminderit të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme ”- shkruan Emina Cunmulaj në foton ku ndodhet me fëmijët në Velipojë.
Prej kohësh modelja e njohur është pjesë e fushatave të ndryshme humanitare. Ajo është edhe zëvendës president e fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, duke ndryshuar jetën e dhjetëra familjeve në nevojë.