Pas tre vdekjeve të raportuara në New York, nga një sëmundje e rrallë që besohet të jetë e lidhur me koronavirusin, shënohet edhe viktima e parë në Francë.
Mediat franceze bëjnë me dije se një djalë 9-vjecar ka humbur jetën si pasojë e sindromës që po hetohet në New York dhe Londër.
“Fëmija vdiq pas një dëmtimi neurologjik të lidhur me një atak kardiak”, tha Fabrice Michel, kreu i njësisë së kujdesit intensiv pediatrik në spitalin La Timone në qytetin e Marsejës, raporton France 24.
Prej shtatë ditësh, 9-vjecari ishte testuar pozitiv me koronavirus dhe ishte shtruar në spital.
Në tre javët e fundit, disa vende kanë raportuar raste të fëmijëve të prekur nga një sëmundje inflamatore me simptoma të ngjashme me ato të një gjendje të rrallë e quajtur sëmundja e Kawasaki. Shkencëtarët besojnë se ajo është e lidhur me koronavirusin.