Tirana Today
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
Tirana Today
No Result
View All Result
Home Të Gjitha

Një pusullë përkujtuese presidentit Biden

4 vjet ago
in Të Gjitha
Politikanit kosovar, Veton Surroi i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës”

Nga: Veton Surroi

1.

Sot fillon dita e parë e punës së presidentit Joseph Biden dhe agjenda e tij që tani, fill pas inaugurimit, është e stërmbushur për ditët, javët dhe muajt e ardhshëm rresht, qoftë me sfidat imediate si COVID-i, me rirregullimin e dëmeve që u ka bërë Amerikës dhe miqve të saj presidenti i kaluar Trump, apo me projektimin e një lidershipi të ri amerikan në një botë të ndryshimeve dramatike në raportin e forcave. Aq dramatike, sa në sondazhin e bërë nga ECFR-ja, Këshilli Evropian për Politikë të Jashtme, me katër mijë respondentë gjithandej BE-së (dhe Britanisë së Madhe), “shumicat në shtetet kyç mendojnë se sistemi politik i SHBA-së është i prishur, se Kina do të jetë më e fuqishme se SHBA-ja brenda një dhjetëvjetëshi dhe se evropianët nuk mund të mbështeten më te SHBA-ja për mbrojtje.(…) Një numër i madh evropianësh mendojnë se duhet të investojnë në mbrojtjen e vet dhe e shohin Berlinin e jo Washingtonin si partnerin e vet më të rëndësishëm”.

Në të njëjtën ditë kur u botua hulumtimi i ECFR-së, një grup gjerman njohësish të politikës së jashtme e të sigurisë botuan një sugjerim për presidentin Biden dhe kancelaren (apo kancelarin) e Gjermanisë në një platformë të quajtur “Marrëveshja e re mes SHBA-së dhe Gjermanisë”. Pjesa më e rëndësishme e këtij dokumenti karshi çështjeve të sigurisë ishte nevoja që Gjermania dhe partnerët e tjerë evropianë të marrin barrën më të madhe brenda NATO-s për sigurinë evropiane- gjithnjë duke ruajtur “ombrellën bërthamore” amerikane dhe praninë fizike amerikane në Evropë – në mënyrë që SHBA-ja të mund të përqendrohet te lëvizja e thellë gjeopolitike drejt Azisë.

2.

Mendova se çfarë do të mund të ishe skica e vogël prej disa pikësh që Kosova mund t’ia dërgonte (dhe kjo besoj do t’i bjerë së shpejti Qeverisë së re që del prej zgjedhjeve të 14 shkurtit) presidentit të ri, ashtu siç kanë bërë tashmë shumë shtete dhe dashamirë të marrëdhënieve më të mira me Amerikën, dhe koincidentalisht më doli një ngjarje që kishte ndodhur më 2004. Atëbotë senatori Biden dhe këshilltari i tij kryesor për politikë të jashtme, Tony Blinken, organizuan një dëgjim publik në Komisionin për Politikë të Jashtme të Senatit me titull “Politika amerikane në Evropën Juglindore: punët e pakryera në Ballkan”. Nuk besoj se presidenti i sotëm Biden dhe sekretari i shtetit T. Blinken do të mund të ëndërronin se sa adekuat do të jetë sot ky titull që propozuan për dëgjimin më 2004. E nuk do të mund të ëndërroja as unë, që isha i ftuar të dëshmoja atëbotë, në një ditë të largët korriku.

Pra, ja ku jemi, 17 vjet më pas dhe presidenti Biden e sekretari Blinken pyesin pse është ende i vlefshëm titulli i dëgjimit i vitit 2004?

Ja një përgjigje nga dëshmia ime e atij viti që mund të ketë jehonë sot: “Disa liderë kosovarë kanë avokuar për ‘njohjen formale të pavarësisë’ si një zgjidhje për të gjitha, pa e bërë as më të voglën përpjekje për t’u përqendruar në funksionalitetin e Kosovës, që në formatin e tanishëm do të hynte në kategorinë e ‘shteteve të dështuara’… Një pjesë e madhe e udhëheqjes së Serbisë dhe në mesin e serbëve të Kosovës janë angazhuar në një garë për të zhvilluar më tej apo për ta projektuar një sundim të ardhshëm të Serbisë mbi Kosovën apo ndonjë pjesë të territorit të saj. Tashmë si konsensus ka lindur një plan i de facto ndarjes së Kosovës mbi baza etnike dhe territoriale nën konceptin e decentralizimit të saj. Dhe bashkësia ndërkombëtare ka debatuar për mbi dy vjet se si të bëhet operacionale politika e saj ‘standardet para statusit’”.

Kthehemi me të shpejtë më 2021 dhe ja ku e kemi formulimin e asaj kohe në këtë kontekst: Disa liderë kosovarë angazhohen për “njohjen e ndërsjellë të pavarësisë me Serbinë”, ndërkohë që vazhdojnë ta shfrytëzojnë kapjen e shtetit. Një pjesë e madhe e udhëheqjes së Serbisë dhe në mesin e serbëve të Kosovës janë angazhuar në një garë për të zhvilluar më tej, apo për ta projektuar një sundim të ardhshëm të Serbisë mbi Kosovën apo në ndonjë pjesë të territorit të saj. Dhe bashkësia ndërkombëtare ka dhjetë vjet që merret me një “dialog” jo shumë produktiv mes Kosovës e Serbisë.

Nëse tingëllon frikësuese afërsia e të dy formulimeve, të atij 2004 dhe atij të sotëm ja edhe një citat të asaj kohe, që kishte të bënte me vërejtjen se nëse nuk ndryshonte qasja e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë shtruarjen e çështjes së statusit të Kosovës, atëbotë:

“Një pjesë e udhëheqjes kosovare do të vazhdojë të presë për njohjen formale të pavarësisë. Udhëheqja serbe në Beograd do të vazhdojë të mbajë levën e saj në Kosovë me planin për ndarje, ndërsa bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë, me jo ndonjë sukses të madh, t’i përqendrojë aktorët vendorë në politikën e ‘standardeve’”.

Dhe ja si mund të tingëllojë sot: Një pjesë e udhëheqjes kosovare do të vazhdojë ta presë njohjen e ndërsjellë me Serbinë. Udhëheqja serbe do të vazhdojë ta mbajë levën e saj në Kosovë me planin për ndarje dhe marrëveshje “ku nuk fiton vetëm Prishtina”. Ndërsa bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë, me jo ndonjë sukses të madh, t’i përqendrojë aktorët vendës në “dialog”.

3.

Pse është ende e vlefshme tema e dëshmisë së vitit 2004, pra të punëve të papërfunduara në Ballkan?

Sepse nuk kanë përfunduar as konfliktet e as shtetndërtimi. Atëbotë besohej se magnetizmi i integrimit evropian do t’i akomodonte edhe konfliktet e edhe shtetet. Nuk ndodhi. Integrimi evropian, për një arsye a tjetrën, nuk do të ndodhë së paku edhe dhjetë vjet.

Por ja një mësim i asaj kohe: më 2005, pas nxitjeve që erdhën edhe nga senatori Biden, si një zë i fuqishëm e i respektuar për Evropën Juglindore, SHBA-ja vendosi që të mos shpenzojë kohë më me “standarde para statusit” dhe i priu procesit të dakordimit perëndimor (pastaj edhe me Rusinë) për hapjen e bisedimeve për statusin e Kosovës, me ndërmjetësimin e presidentit Ahtisaari.

Sot, nëse ekziston një analogji ajo do të ishte që të kalohet prej një procesi që i ngjason atij të “standardeve para statusit” në një tjetër. Ky i Brukselit është një proces i lodhshëm dhjetëvjeçar, në të cilin herë flitet për bashkësi komunash serbe, herë për targa automjetesh, herë për implementim të marrëveshjeve të nënshkruara e të pazbatuara deri më tani, dhe ka gjasa t’i ngjasojë atij të “standardeve para statusit”.

Procesi më i fuqizuar do të nënkuptonte fuqizim të theksit dhe kontekstit. Për Kosovën fuqizim do të ishte që bisedimet me Serbinë të kundroheshin edhe nga këndi i MAP-it, shkurt për Membership Action Plan (Plani aksional për anëtarësim), një paketë detyrimesh përgatitore që i merr shteti që synon anëtarësimin e që ia prezanton si raporte vjetore NATO-s deri në përmbushje të plotë. Pika e parë e MAP-it është “vullneti për të zgjidhur me mjete paqësore konflikte ndërkombëtare, etnike apo territoriale…”.

Në një tryezë ku kërkohet të adresohen punët e pakryera në Ballkan, duhet kërkuar boshtin e politikës së re që sjell administrata Biden dhe përgjigjen evropiane, e ajo në pikënisje është fuqizimi i NATO-s. Dhe në tryezë me një Amerikë që rivendoset në Evropë dhe një Gjermani që e kërkon fuqizimin e Evropës me rritjen e kontributit të saj dhe me rikthimin amerikan, është i mundur dakordimi për një proces anëtarësimi të Kosovës në NATO dhe është e mundur që ky të jetë shtytësi për një proces serioz që, në analogji, kalon prej “standardeve para statusit” në një kategori më serioze.

Në një proces serioz konteksti bëhet ai i rregullimit të marrëdhënieve mes Kosovës si shtet aspirant për anëtarësim në NATO dhe Serbisë që aspiron që për një kohë të pacaktuar të mbetet shtet neutral. Kjo do të thotë për Kosovën që në mënyrë komplementare ta konsolidojë e funksionalizojë shtetësinë e vet demokratike dhe të përfundojë konfliktin me Serbinë nëpërmjet të një marrëveshjeje që krijon fqinjësi të mirë.

Ky është kapërcim kontekstual prej këtij të sotmit kur Kosova flet për njohje të ndërsjellë, Serbia flet për mosnjohje, ndërsa “lehtësuesit” evropianë për një “marrëveshje të ndërsjellë juridikisht të obligueshme” –një gjendje sikur të mos kishin ndodhur negociatat në Vjenë më 2005-2007.

Rusia, në prapavijë, sheh se si me qasje të deritanishme joserioze perëndimore politika e saj e pengimit të integrimit euroatlantik në Evropë po shënon sukses, me shumë pak investime. Në zinxhirin vicioz që e ka krijuar, Rusia ka veton për mosnjohjen e Kosovës, këtë veto (në këmbim për influencë politike) e shfrytëzon Serbia në “dialogun” e Brukselit në të cilin pesë anëtare të BE-së përcaktojnë se do të marrin të njëjtin qëndrim ndaj Kosovës që merr Serbia. Pra, Rusia ka të drejtë vetoje edhe në BE, pos në Këshill të Sigurimit të OKB-së.

Testi kosovar tashmë bëhet : a ka Rusia të drejtë vetoje edhe në NATO? Dhe, nëse po, a është kjo me çka do ta presin evropianët presidentin Biden, atlanticistin e njohur?

4.

Në dëgjimin e vitit 2004 propozova një “format të ri të dialogut” mes Kosovës dhe Serbisë (Prishtinës dhe Beogradit) dhe (me keqardhje konstatoj se) kjo ende vlen edhe sot. Atëbotë sugjerova që ky format të trajtojë çështjet e hapura nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja dhe më duket që kjo skicë mund t’i ndihmojë riformatizimit të negociatave.

Nga perspektiva e atëhershme dhe e sotme më është tashmë e qartë se të dy vendet duhet të merren me luftën dhe pasojat e saj, duke filluar nga të zhdukurit, viktimat civile të luftës dhe shkatërrimin material e emocional. Të dy vendet duhet të gjejnë format e kalimit prej kulturës së luftës në kulturë të paqes, dhe për këtë ndihmon të gjenden format e ballafaqimit me të kaluarën.

Nga perspektiva e atëhershme dhe e sotme, më është e qartë se të dyja vendet duhet të eliminojnë sa më shumë pengesat për komunikimin e lirë. Idetë për zbatimin e “katër lirive evropiane” në hapësirën mes dy vendeve, si dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor janë koncept bosht i kësaj përpjekjeje dhe paraqesin mundësi për të menduar një të ardhme shumë më të mirë.

Nga perspektiva e atëhershme dhe e sotme më është e qartë se përcaktimi i ardhmërisë duhet të jetë ai i një hapësire mes dy vendeve (dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor) që jetojnë në paqe e bashkëpunim. Kjo hapësirë është e mundur si një komunitet i sigurisë së dakorduar të përbashkët, i komunitetit të kujtesës transformative që nuk e sheh ardhmërinë si vazhdim të konfrontimeve historike, i komunitetit që ndihet në shtëpinë e vet evropiane dhe atlantike.

5.

Sot është një ditë e mirë për njerëzit e demokracisë dhe paqes në Evropë. Në Shtëpinë e Bardhë fillon punën njeriu i cili mbi gjysmë shekulli besoi dhe veproi me bindjen se SHBA-ja është fuqi evropiane. Dhe i cili i sheh si Evropë natyrshëm të gjitha pjesët e saj, përfshirë edhe këtë juglindore ku jetojmë ne.

Tags: AnalizeJoe Bidenveton surroi

TË LIDHURA

Pjesëmarrja në votime deri në orën 10:00 arrin mbi 13%
Të Gjitha

Pjesëmarrja në votime deri në orën 10:00 arrin mbi 13%

11:38 | 11/05/2025
Parashikimi i motit për sot, 30 prill 2025
Moti

Parashikimi i motit për sot, 30 prill 2025

08:14 | 30/04/2025
Përsëritet historia, “Final Four” rikthen përballjet e Kupës
Sport

Përsëritet historia, “Final Four” rikthen përballjet e Kupës

13:33 | 29/04/2025
Next Post
Kategoria Superiore/ Vllaznia ndëshkon Bylisin dhe marshon drejt titullit

Kategoria Superiore/ Vllaznia ndëshkon Bylisin dhe marshon drejt titullit

Pandemia/ Regjistrohen dy viktima të tjera në Shqipëri

Rritet numri i të infektuarve, edhe 4 viktima nga Covid-19

Alarm për bombë në Gjykatën e Lartë të SHBA, godina ndodhet shumë pranë Capitol

Alarm për bombë në Gjykatën e Lartë të SHBA, godina ndodhet shumë pranë Capitol

JU REKOMANDOJMË

Rikthehet i gjallë në Shqipëri italiani Davide Pecorelli që “vdiq” në Pukë.

Rikthehet i gjallë në Shqipëri italiani Davide Pecorelli që “vdiq” në Pukë.

11:17 | 08/05/2025
Gjesti ne shtepine e vet, por prapa tij kush eshte?

Gjesti ne shtepine e vet, por prapa tij kush eshte?

16:54 | 06/05/2025
“E tërhoqi vajzën nga flokët – Partneri i Genta Gjalpit habit me vendimin!”

“E tërhoqi vajzën nga flokët – Partneri i Genta Gjalpit habit me vendimin!”

22:17 | 06/05/2025
“Driloni nuk përmbahet më – shpërthen me deklaratë të fortë kundër Sarës”

“Driloni nuk përmbahet më – shpërthen me deklaratë të fortë kundër Sarës”

17:54 | 07/05/2025




TË FUNDIT

Nis numërimi i votave, Arlind Qori: Jam shumë optimist për Lëvizjen Bashkë!
Aktualitet

Nis numërimi i votave, Arlind Qori: Jam shumë optimist për Lëvizjen Bashkë!

by mirseda
22:53 | 11/05/2025
0

Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, gjatë një lidhje direkte për emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV,...

Pusteci hap garën: PS vs PD në 3 kutitë e para të bashkisë më të vogël të Korçës

Pusteci hap garën: PS vs PD në 3 kutitë e para të bashkisë më të vogël të Korçës

22:48 | 11/05/2025
Një kuti me vota klasifikohet e pavlefshme në Kamëz, fletët nuk ishin sipas procedurës

Një kuti me vota klasifikohet e pavlefshme në Kamëz, fletët nuk ishin sipas procedurës

22:46 | 11/05/2025
Incident në afërsi të një qendre votimi në Tiranë, policia shoqëron disa qytetarë

Incident në afërsi të një qendre votimi në Tiranë, policia shoqëron disa qytetarë

19:18 | 11/05/2025
Zgjedhjet e 2025/ Përfundon afati zyrtar i procesit të votimit

Zgjedhjet e 2025/ Përfundon afati zyrtar i procesit të votimit

19:10 | 11/05/2025

Tirana Today


© 2024 TiranaToday Dev By: Techzero1.com


© TIrana Today. All rights reserved.

Kontakt

EMAIL : [email protected]

Cel: +355694040005

Follow Us

Tirana Today

© TIrana Today. All rights reserved.

EMAIL : [email protected]

Cel: +355694040005

© 2022 TiranaToday Dev By: wearedope.com

Follow Us

No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing

© 2024TiranaToday Dev by : Techzero1.com