Tregu i rrobave të përdorura, i njohur si tregu i “Gabit”, do të transferohet në Shkozë. Kush dëshiron që të blejë, tashmë e ka edhe një vendndodhje, ndryshe nga çfarë kemi parë në shumë rrugë nëpër Tiranë. Kjo vendndodhje do të jetë shpëtim për 103 familje, duke shitur brenda standardeve.
“103 familje nga komuniteti rom dhe egjiptian, nuk do kenë më nevojë që të shesin rroba në rrugë, jashtë çdo standardi, në mes të pluhurit dhe shiut. Tregu i parë publik të rrobave të përdorura hapet në Shkozë, për nxitjen e vetëpunësimit dhe tregtinë ambulatore të komunitetit rom dhe egjiptian”, bën me dije Bashkia Tiranë.
Kryetari i Bashkisë, Veliaj, tha se hapja e këtij tregu është mundësi punësimi për shumë familje në nevojë, të përjashtuara nga taksa për hapësirën publike, por duke nxitur formalizimin dhe arsimimin e familjeve të këtyre dy komuniteteve.
Më tej, kryebashkiaku ftoi të gjithë komunitetin që merret me tregtinë ambulante të rrobave të përdorura, të shfrytëzojnë këtë mundësi që u është krijuar, për të shitur në një ambient me kushte optimale.