Një biznesmen 53-vjeçar, Viktor Vescova ka thyer rekordin botëror duke u zhytur në 10.927 metra nën sipërfaqen e Oqeanit Paqësor, në pjesën e kanalit Mariana, duke lënë pas kështu rekordin e arritur nga Don Walsh dhe Jacques Piccard në vitin 1960.
Në të njëjtën kohë, 53-vjeçari ka arritur të vendosë një tjetër rekord duke u bërë personi i parë dhe i vetëm që viziton majën më të lartë, Everestin dhe pikën më të ulët në Tokë (Sfida e Zhytjes).
Ajo që është për t’u habitur e që ka marrë vëmendje janë disa flamuj të stampuar në veshjen e zhytësit.
Në veshjen e tij të zhytjes, dallohet që ka të stampuar në krahun e djathë flamurin amerikan, atë të Teksasit, flamurin e Kombeve të Bashkuara, atë të Klubit të eksploruesve dhe flamurin shqiptar kuq e zi. Ai ka thënë se me flamurin shqiptar ka dashur të shprehë këmbënguljen për historinë e jashtëzakonshme të popullit shqiptar, që njihet si këmbëngulës.
Një arsye tjetër, është edhe një grua shqiptare që e ka mbështetur atë dhe e ka sponsorizuar zhytjen e tij në oqeanin e thellë, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur.
Revista amerikane, Forbes ka realizuar një intervistë me Vescovan.
Jim Clash: Çfarë ndjesie kishit kur u ulët në pikën më të thellë të planetit?
Victor Vescovo: Pak i lehtësuar, më pas i eksituar!
Shumë njerëz kanë arritur që ta ngjisin malin e Everestit, përshirë dhe mua. Por, sfida e thellësisë ishte diçka ndryshe, më e veçantë, jo vetëm për shkak të arritjes (rekordi botëror), por çfarë do të thotë të shkosh përpara.
Jim Clash: Mund të jesh pushtuar nga disa frikëra gjatë zhytjes. Si keni arritur t’i mundni ato?
Victor Vescovo: Sigurisht që ka. Por ti mund ta stërvitësh mendjen tënde për të kontrolluar frikërat. Dhe unë pikërisht këtë kam bërë. Ky është një trajnim që i bëhet pilotëve.
Hera e parë kur bën një procedurë emergjente, mund të jetë alarmante, pasi mund të humbësh kokën.
Por, kur filloni e vazhdoni ta bëni pa pushim, mësoni listat e kontrollit, filloni dhe ndani frikën duke e vendosur atë në sfond. E njëjta gjë ndodh dhe me zhytësit. Në fakt, vetëm pse unë isha aq shumë i përshirë në projektimin dhe testimin e zhytjes, për herë të parë, nëndetësja Triton më dha një certifikatë për testimin e pilotëve.
Clash: Si është të mbash një rekord botor në zhytje?
Victor Vescovo: Unë me zemër jam një biznesmen dhe pilot. Më pëlqen aventura. Media, popullariteti dhe të gjitha këto nuk janë pika ime më e fortë. Nuk pëlqej asgjë më shumë se sa të bërit misionin e ngjitjes në një mal apo zhytjen. Është diçka e këndshme, por unë e di që dikush tjetër do arrijë të bëjë diçka edhe më të jashtëzakonshme. Nuk është kjo, ajo me të cilën unë përkufizoj veten.
Clash: E krahasoni dhe dalloni eksperiencën e ngjitjes në Everest me përvojën e arritjes në Sfidën e Thellësisë?!
Victor Vescovo: Janë shumë të ndryshme. Alpinizmi, sidomos një përvojë e tillë si Everesti është ndëshkuese, fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht. Të shkosh në fund të oqeanit është më shumë një sfidë intelektuale. Vështirësia qëndron tek përfshirja e logjistikës: planifikimi, të gjitha pjesët që duhet të vendosen në vend. Nuk është vetëm ndërtimi i nëndetëses, as trajnimi për të pilotuar, por leja, ekuipazhi, sigurimi dhe legaliteti. Duhet të bëhen të gjitha këto gjëra.
Clash: Ju jeni personi i vetëm që keni arritur të prekni pikën më të ulët në Tokë dhe majën më të lartë, siç është Everesti. Dëshironi të shkoni në hapësirë?
Victor Vescovo: Do të doja. Askush nuk ka arritur ta bëjë të ashtuquajturën “trifecta”, në krye e në fund të botës dhe hapësirë. Për mua kjo do të thotë të shkosh drejt Linjës Karman, 100 km (62 milje) mbi Tokë. Por standardi i artë për mua do të ishte orbita. Do doja ta shihja agimin nga atje, të paktën vetëm një herë, siç kanë bërë astronautët. Mendoj se do ishte bukur. / Përshtati Tirana Today