Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në zonën e Thumanës, nga ku ka njoftuar edhe për nisjen e procesit të rindërtimit.
Kreu i qeverisë ka qenë i shoqëruar edhe nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. Rama ka shpërndarë edhe një video në Facebook, ku tregohen pamjet e vendit ku do të ngrihen ndërtesat e reja.
Kryeministri premtoi se të gjithë ata që ndodhen në çadra apo në shtëpi me qira, do të kthehen në shtëpitë e tyre të reja.
Procesi i Rindërtimit pritej të kishte filluar me kohë, por shpërthimi i koronavirusit në vend bëri që procesi të shtyhej pasi vendi ndodhet nën izolim.
Më herët në fillim të vitit u mbajt një konferencë donatorësh, ku vende nga e gjithë bota dhanë kontributin e tyre për situatën e krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.
Në përfundim të kësaj konference, Shqipëria u largua me një fond prej 1,15 mld eurosh.
Ahmetaj tha se 400 milionë euro nga totali i fondit janë donacione, ndërsa 750 milionë euro janë kredi e butë.
Postimi i plotë:
? THUMANË – NISIM RINDËRTIMIN?
*të gjithë ata që janë në çadra a në shtëpi me qera, do t’i kthejmë në shtëpia të reja, më të mira, më të forta e më të bukura dhe pasi të fitojmë luftën që na ka zënë derën, do të përmbushim këtë kryedetyrë njerëzore të këtij viti të jashtëzakonshëm, duke zbatuar me çdo kusht porosinë e Zotit të Madh të Shqiptarëve, për t’u kujdesur deri në fund për ata që tërmeti i goditi më fort?