Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Bujar Nishani, është një nga kritikët që kërkon dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha, pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.
I ftuar në emisionin ”Real Story”, Nishani u shpreh se kryeministri Edi Rama ka blerë vota, megjithatë, sipas tij PD nuk arriti të çojë shumicën e shqiptarëve në kutitë e votimit, për të sjellë ndryshimin.
Bujar Nishani: ”Shifrat nuk janë ato që thoni, PD ka më pak vota se në 2009. Për mua rëndësi ka fakti që PD në shtator do të kthehet 2 vite e gjysmë pas, me të njëjtat shifra, me të njëjtën perceptim. Ne kthehemi në shtatorin e 2021, në shkurt të 2019-ës. Nëse sot kemi zero bashki të fituara, nëse fitojmë 5 themi ka rritje. Ne nuk arritëm të çojmë shumicën e nevojshme të shqiptarëve për të arritur ndryshimin.
Ne nuk e krijuam besimin që të vinte një dallgë e madhe. Edi Rama ka blerë vota pa fund, s’e diskutoj unë, këto janë prova evidente. Edi Rama nuk e ndryshon stilin e tij, nuk e korrigjojmë dot politikisht atë, ne duam të gjejmë formulën për ta rrëzuar, ky është synimi im. PD pak nga pak do të rrudhet më tej e do të kthehet në opozitë formale e nuk do të kemi alternativë qeverisje”.