Nishani: Nëse Basha nuk dorëhiqet, Rama do qëndrojë edhe 14 vite në pushtet

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani bën përgjegjës kryedemokratn Lulzim Basha, për dështimin e projektit për të kthyer opozitën në pushtet.

I ftuar në ”News 24”, Nishani u shpreh se modeli i Bashës ka dështuar dhe se ai duhet të tërhiqet nga drejtimi i partisë.

Ndër të tjera, Nishani tha se nëse Basha nuk dorëhiqet, kryeministri Edi Rama do të jetë në pushtet edhe për 14 vite.

Bujar Nishani: “Reagimi dhe dëshira që unë kam, ajo që më buron mua nga brenda, është të shikoj një PD që i përshtatet sfidave, por edhe performancës së 2021-2030. PD ka nevojë për një ringritje të madhe, që nga forma e organizimit, ku organet vendimmarrëse të jenë të fuqishme, ku të jetë e hapur për eksperienca të rinisë, të qytetarëve, të atyre që kanë pasion politikën.

Unë jam shumë i qartë në atë që mendoj e them. Projekti politik i z. Basha si kryetar, që ka pasur mbështetjen tonë, rezultoi i pamjaftueshëm, i paaftë, i pamundur për të rrëzuar modelin e Ramës. Rama do të qëndrojë 14 vite atje, nëse ne vazhdojmë me të njëjtin standard, me të njëjtin model. Z. Basha duhet t’i hapë rrugë një projekti të ri politik, që natyrisht nuk e përjashton z. Basha që të zhduket nga skena politike, ai është përpjekur. Por përpjekjet e tij janë të pamjaftueshme dhe të pamundura.”