Nga: MARSELA SINANI
Muaji qershor ka nisur i përgjakur; 9 viktima, prej të cilave 3 janë krime në familje. Biznesmeni ekzekutohet në derë të shtëpisë, vjehrri vret ish-dhëndrin në sy të vajzës, vëllai i alkoolizuar i merr jetën motrës për shkak të 4 mijë eurove që e ndjera i kishte shpenzuar për blerjen e disa mobileve. Dhe në fund, bashkëshorti masakron me sëpatë nënën e katër fëmijëve dhe më pas vret veten.
Këto ngjarje, disa me autor e për disa të tjera policia ende nuk ka rënë në gjurmët e atentatorëve, janë të denja për një film horror. Tejet shqetësuese janë vrasjet të tipit mafioz. E po kaq e frikshme dhe në trend rritës është edhe fenomeni i krimit në familje. Krimi brenda bërthamës së familjes është agravuar në përmasa të tilla, saqë pothuaj është duke kaluar çdo kufi njerëzor.
Data 1 qershor 2021 (Tepelenë)
Autorët e thirrën 52-vjeçarin tek dera e shtëpisë! U qëllua dy herë, njëri plumb e kapi në zemër
Çajup Selimi u ekzekutua në derë të shtëpisë. Ai u vra në derë të shtëpisë në Tepelenë, ndërsa ende nuk ka autorë të dyshuar. Si ndodhi krimi? Selimi i cili banonte në një pallat në lagjen “15 shtatori” në Tepelenë, është thirrur nga një person në katin e parë për të zbritur poshtë. Në këtë moment 52-vjeçari ka dalë nga banesa për të shkuar poshtë, por një person tjetër po e priste me armë në katin e dytë, duke e qëlluar dy herë me pistoletë. Një prej plumbave e ka kapur në zemër, duke rezultuar fatal për të.
Më pas autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Selimi rezulton pronar i një biznesi në qytet, ndërsa më parë ka qenë i përfshirë edhe në disa konflikte për çështje konkurrence. Ai tregtonte miell, materiale ndërtimi dhe artikuj të tjerë të ndryshëm. Në vitin 2018, Selimi u konfliktua me dy persona, të cilët e goditën atë me mjete të forta. Në atë kohë, familjarë të Çajupit patën deklaruar se ai ishte sulmuar edhe 4 herë të tjera.
Për ngjarjen në vitin 2018 u ndalua Risiano Abedini, po nga Tepelena. Familja Selimi dhe Abedini menaxhojnë biznese me profil të ngjashëm, por nuk dihet ende nëse ngjarja ka lidhje pikërisht me konkurrencën në biznes. Dyshohet se autorët kanë qenë dy, dhe pasi kanë qëlluar, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa ende nuk janë identifikuar.
Data 2 qershor 2021 (Vlorë)
43-vjeçari ekzekutohet me breshëri kallashnikovi në derën e shtëpisë
Pesë minuta para mesnatës së të mërkurës, në qytetin e Vlorës u ekzekutua 43-vjeçari Shkëlzen Velaj. Autorët e vranë te pragu i shtëpisë, 15 plumba e kapën në trup. 43-vjeçari i cili u vra në derë të shtëpisë, i ruhej një atentati të mundshëm. Në shtëpinë e tij kishte vënë kamera sigurie, të cilat kanë kapur dhe momentin kur ai është qëlluar nga autorët me 20 plumba. I ndjeri ka qenë duke hyrë në shtëpi, kur ka vënë re se po ndiqej nga një makinë e dyshimtë. Kjo ka bërë që ai të ndihej i rrezikuar për jetën e tij, ndërsa ka lënë ndezur makinën dhe ka ikur me vrap për t’u futur sa më shpejt në banesë.
Dy autorët e kanë ndjekur nga pas deri në katin e 5-të të pallatit, dhe kanë zbrazur një karikator kallashnikovi duke qëlluar mbi 20 herë, ku 15 prej plumbave e kanë prekur në trup. Pas ngjarjes, dy autorët janë larguar dhe në afërsi të fshatit Risili kanë braktisur makinën tip BMW pa targa të cilën e kanë djegur. Brenda në makinën e djegur, policia ka gjetur dhe kallashnikovin me të cilin autorët qëlluan 43-vjeçarin. Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar katër persona.
Pista e hetimit: Hakmarrja
Shkëlzen Velaj nuk ishte me precedentë penalë. Në 2015-n i vranë të vëllanë Ardi Velaj në “Masakrën e Çoles”. Pista e hetimit të vrasjes së 43-vjeçarit është fokusuar te hakmarrja për vrasjet seri që kanë nisur nga kjo masakër. “Masakra e Çoles” që nisi pas një sherri mes disa të rinjve në një kazino dhe mbetën të vdekur tre persona, ka nxitur një seri vrasjesh në qytetin e Vlorës përgjatë viteve, shumica prej të cilave ende pa autor.
Data 2 qershor 2021 (Lushnje)
Lushnje/ Klienti vret pronarin e lokalit dhe plagos djalin e tij
Sofokli Shani ka vrarë me armë zjarri 62-vjeçarin Rako Qorri në lokalin e tij, ndërsa ka plagosur djalin e viktimës, Kejdi Qorri, 31-vjeç.
Krimi ndodhi pak para mesnatës së të mërkurës në fshatin Fier i Ri në Lushnje, ku Rako Qorri dhe djali i tij, Kejdi Qorri, 31-vjeç, u qëlluan me breshëri kallashnikovi në ambientet e lokalit që kishin në pronësi, pasi refuzuan t’i jepnin alkool autorit. Sofokli Shani rezulton me precedent penal.
Ai ka qenë i dënuar më parë me 10 vite burg, për vrasjen e një fqinji të tij në fshat. Në datën 4 qershor, Sofokli Shani hyri në Gjykatën e Lushnjes për t’u njohur me masën e sigurisë për vrasjen e Rako Qorrit dhe plagosjes së djalit të tij Kejdit. Në sallën e gjyqit, Shani ka pranuar vrasjen dhe plagosjen, por është justifikuar se krimin e kreu pasi kishte qenë i dehur.
Data 4 qershor 2021 (Tiranë)
Ekzekutoi ish-dhëndrin, Mexhit Picari pendohet dhe kërkon ndjesë publike
Vjehrri vrau ish-dhëndrin, për nderin e vajzës. Ngjarja e rëndë që tronditi kryeqytetin ndodhi më 4 qershor, në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën ‘arrest me burg’ për Mexhit Picarin dhe vajzën e tij, Dhurata Saliajn, në lidhje me vrasjen e Kudret Saliajt.
“Kërkoj ndjesë publikisht për çfarë kam bërë edhe falje. Të më falin nipërit dhe mbesat, i kërkoj falje edhe vajzës që i vrara burrin. Dhurata s’ka patur dijeni. Pistoletën e kisha në brez dhe se mora në çantën e gocës”, ka thënë ai.
Po ashtu edhe Dhurata Saliaj ka mohuar të ketë gisht në vrasje. Ajo ka deklaruar se nuk e dinte që babai i saj do kryente vrasjen, pasi në të kundërtën s’do e kishte lejuar.
“Atë ditë isha për gjykatë. S’e dija që babi do bënte vrasje. S’do e lejoja kurrë. Kudreti ishte babai i fëmijëve të mi, s’do e lejoja. Kërkoj mëshirë nga Gjykata, kam tre fëmijë për të rritur”, ka thënë Dhurata.
Nga të shtënat me armë ka mbetur i plagosur avokati i viktimës, Adriatik Cama, ndërsa çifti ishte në proces divorci.
Data 6 qershor 2021 (Shkodër)
Detaje tronditëse nga Shkodra/ Vëllai që ekzekutoi motrën ishte i papunë dhe luante bixhoz, ajo e ndihmonte
Një ngjarje makabre tronditi Shkodrën mbrëmjen e së dielës, aty ku policia zbuloi vrasjen e Diana Vukajt nga dora e vëllait të saj, Fabian Vukaj. Ka dyshime se 58-vjeçarja u vra më datë 4 e gjatë kësaj kohe, vëllai bënte një jetë normale, dilte luante bilardo e konsumonte alkool.
55-vjeçari dyshohet se e vrau të motrën e cila jetonte në Gjermani, pasi ajo kishte porositur mobilie për shtëpinë në Shkodër dhe atë në Velipojë, të cilat përdoreshin nga vëllai i saj. Mirëpo duke qenë një njeri i alkoolizuar dhe bixhozçi, ai i donte paratë në dorë dhe duket se në sherr e sipër e qëlloi të motrën për vdekje.
Trupi i pajetë i Diana Vukaj u zbulua mbrëmjen e së dielës në dhomë të gjumit, aty ky u ekzekutua me armë zjarri.
Ngjarja tragjike ndodhi në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodrës dhe autor i këtij krimi të rëndë është vëllai i 58-vjeçares, Fabian Vukaj.
Autori jetonte i vetëm në Shkodër, ndërsa viktima jetonte në Gjermani dhe dërgonte para për vëllanë rreth 300 euro në muaj, për ta ndihmuar nga gjendja ekonomike. Nga sa raportohet, në momentin që policia ka shkuar në banesën e Fabian Vukaj, i janë gjetur 6 shishe alkooli dhe mendohet se ka qenë i alkoolizuar në momentin që ka kryer krimin. Ky krim në familje tronditi opinionin publik, për shkak se 55-vjeçari e ka mbajtur për 3 ditë motrën e vdekur në shtëpi. Gjithçka u zbulua mbrëmjen e së dielës rreth orës 22:30 kur dhe efektivët e policisë mbërritën në shtëpinë e 55-vjeçarit dhe gjetën gruan të vrarë në krevat. Autori i kësaj ngjarje, Fabian Vukaj është vënë në prangat e policisë, dhe ka qenë nën efektin e alkoolit kur ka kryer krimin.
Data 6 qershor 2021 (Ksamil)
Qëllohet pranë shtëpisë, 4 persona i zunë pritë biznesmenit në Ksamil
Gramoz Memaj me origjinë nga Tepelena, por që jetonte prej vitesh në Ksamil, u qëllua për vdekje kur po kthehej në banesën e tij. Autorët e kanë pritur viktimën përpara shtëpisë, dhe në momentin që 40-vjeçari Gramoz Memaj ka parkuar automjetin dhe ka dalë për të hyrë në banesë, një prej autorëve ka dalë nga automjeti me të cilin prisnin dhe ka qëlluar me pistoletë mbi viktimën. Biznesmeni u qëllua me armë zjarri rreth orës 21:45 minuta pranë banesës së tij, dhe humbi jetën gjatë rrugës për në spital.
Autorët e pritën 40-vjeçarin para shtëpisë, ndërsa njëri prej tyre, i maskuar ka dalë nga mjeti duke qëlluar 7 herë mbi Gramoz Memaj dhe duke e lënë atë të vdekur. Ngjarja është regjistruar nga kamerat e një hoteli përballë banesës së viktimës, por nuk dihen ende detajet që përmbajnë pamjet, që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Memaj ishte biznesmen në zonën e Ksamilit, ndërsa nuk njihej si person problematik. Policia po heton në disa pista lidhur me shkakun e vrasjes, duke përfshirë shkaqe personale, larje hesapesh dhe problemet e vjetra që mund të ketë pasur viktima. Policia ende nuk ka rënë në gjurmë të autorëve të krimit.
Dtaa 7 qershor 2021 (Librazhd)
Lumturie Bici, 50-vjeç u gjet pa shenja jete pasditen e djeshme në Librazhd, pasi u vra nga bashkëshorti. Ngjarja u regjistrua në Dragostunjë ku Qemal Biçi, 59-vjeç qëlloi me sëpatë gruan e tij dhe më pas vari veten në oborrin e shtëpisë.
Ngjarja ndodhi pas një sherri mes çiftit, ku situata agravoi, ndërsa burri mori më pas sëpatën dhe qëlloi gruan e tij në dhomën e gjumit pas koke, duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas 59-vjeçari ka dalë nga banesa, dhe në pjesën e pasme të saj është vetëvarur në një pemë. Çifti kishin 4 fëmijë dhe trupat e pajetë u gjetën nga djali 20-vjeçar, i cili ka parë prindërit e vdekur kur ka mbërritur në shtëpi, ndërsa ka lajmëruar dhe policisë. 3 fëmijët e tjerë të çiftit jetojnë jashtë shtetit.
Data 8 qershor 2021 (Peqin)
“Hiqej si i forti i fshatit, para 5 vitesh më grushtoi”
Vrasja e ndodhur sot në Peqin, duket se ka nisur prej një konflikti të 5 viteve më parë. Ndërmjet 44-vjeçarit Ylber Xhahysa dhe 36-vjeçarit Leonard Bashaliu kishte pasur një zënkë, kohë kur autori i dyshuar është konfliktuar me viktimën pasi i kishte gërvishtur automjetin.
Leonard Bashaliun e shqetësonte fakti që Ylber Xhahysa hiqej si “i forti i fshatit”. Autori i dyshuar është shfaqur i rënduar psikologjikisht pas krimit. Ai ka thënë se “u zumë kot, pasi para 5 vitesh më ka qëlluar me grusht dhe sot filloi debati me fjalë e përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit”.
Ngjarja e rëndë ndodhi sot në mëngjes, në fshatin Gjocaj të Peqinit. Ylber Xhahysa u qëllua me pistoletë dhe mbeti i plagosur, por ndërroi jetë në spital. Ndërsa autori u arrestua pak minuta pas ngjarjes. /TIRANA TODAY