Nga: Annalisa Camilli “Internazionale”
Ëndrrat e këqija e përndoqën për muaj të tërë pasi doli nga spitali. Ëndërron sikur nuk është në gjendje të lëvizë, sikur është i shtrirë në një shtrat, me tubat në fyt dhe trupin e lidhur nga kabllot e lidhura me makineritë.
Në raste të tjera, imagjinon sikur sheh gjithçka të gabuar, dëgjon zëra që vijnë nga njolla me ngjyrë, por nuk është në gjendje të dallojë fytyrat e njerëzve që ka pranë, dëgjon fjalët që i thuhen, do që të përgjigjet por nuk është në gjendje që ta bëjë këtë.
“Ndjesia e mbytjes në gjumë, makthet e përsëritura nuk më linin të flija për një kohë të gjatë. Mendoj se kjo është mënyra sesi trupi përpunon atë që i ka ndodhur, traumën që ka provuar pas disa kohësh”, thotë Serxho Levrino, 46 vjeç, punëtor piemontez, i shtruar në një spital të Milanos, kur më 22 mars e zbuloi rastësisht pneumonisë bilaterale dhe Covid-19, përpara se t’i nënshtrohej një operacioni kirurgjikal në spitalin “Humanitas” në Rozzano.
Levrino qëndroi në spital për 28 ditë, 2 prej të cilave në repartin e terapisë intensive. Më pas u dërgua në shtëpi pasi kishte rezultuar 2 herë negativ ndaj tamponit. Doli nga spitali në prill, por pati pasoja anësore për 6 muaj: pagjumësi, makthe, dhe më pas një lodhje të vazhdueshme që e pengoi të kryente detyrat më elementare.
“Ishte si të gjendesha në majë të maleve të larta. Ngritja e peshave, hedhja e vetëm disa hapave ishte shumë e lodhshme. Kisha një ndjenjë të vazhdueshme lodhjeje dhe rraskapitjeje. Më merrej fryma. Kjo zgjati të paktën deri në tetor”, thotë ai.
Tetë muaj pas infeksionit, ai ka ende nivel të lartë të glukozës në gjak, si dhe presionit të lartë të gjakut. “Për herë të parë në jetën time u diagnostikova me Diabetin e Tipit 2 dhe tension të lartë të gjakut. U detyrova të marr ilaçe dhe vazhdoj që ta bëj”, shprehet Levrino, që është vetëm një nga mijëra pacientë që paraqesin lloje të ndryshme çrregullimesh edhe shumë muaj pas prekjes nga virusi.
Në muajt e parë të pandemisë, ndërsa qeveritë u përpoqën të ndalnin përhapjen e virusit duke marrë masa të shuma kufizuese, shumica e kërkimeve shkencore ishin përqendruar tek trajtimi apo parandalimi i infeksionit. Por dihej pak për këtë aspekt të sëmundjes, që disa studime i referohen si “sindromi post-Covid” ose “Covidi i zgjatur në kohë”.
Zakonisht faza akute e sëmundjes zgjat maksimumi 21 ditë. Por 1 në 10 pacientë, mund të paraqesin probleme edhe 3 muaj pas përfundimit të fazës akute. Një studim nga Kolegji Mbretëror në Londër, i kryer përmes një aplikacioni tek 4 milion njerëz, tregoi se 60.000 prej tyre raportuan se vuanin nga disa sëmundje më shumë se 3 muaj pas përfundimit të fazës akute.
Me këtë sindromë, vlerësohet se mund të ketë në total gati 4 milion njerëz në mbarë botën. Lodhja kronike është ankesa më e zakonshme tek të mbijetuarit ng Covid-19. Por pasojat e tjera të raportuara përfshijnë:ngushtimin në gjoks, konfuzionin mendor, probleme gastrointestinale, dhimbje të kyçeve, dhimbje koke dhe marramendje, pagjumësi, probleme të zemrës, dëmtime të mushkërive dhe organeve të tjera të brendshme.
Sipas të dhënave paraprake nga studimi britanik, këto efekte mund të shkaktohen nga fakti që virusi shkakton në shumë raste dëmtime në më shumë se sa një organ në të njëjtën kohë. Një studim i botuar në revistën shkencore “Nature”, zbuloi se problemet e vazhdueshme në mushkëri dhe vështirësitë në frymëmarrje janë më të shpeshta tek pacientët që janë prekur nga një formë e rëndë e sëmundjes, dhe sidomos tek ata që kanë qenë shtruar në repartet e terapisë intensive.
“Një studim austriak, tregon se dëmet në mushkërive zbehen me kalimin e kohës:88 për qind e pjesëmarrësve në studim, raportuan dëmtime të dukshme 6 javë pasi dolën nga spitali, por pas 12 javësh ky numër ra në 56 për qind”, shkruan “Nature.
Një studim tjetër i kryer me 143 pacientë me Covid-19 të shtruar në Poliklinikën Gemelli në Romë, zbulon se 53 përqind e tyre raportuan lodhje kronike, dhe 43 për qind vështirësi në frymëmarrje edhe 2 muaj pas përfundimit të fazës akute, dhe vetëm 12 për qind e pacientëve të ekzaminuar nuk raportuan asnjë çrregullim.
Edhe Universiteti i Oksfordit, ka ndjekur ecurinë e e sëmundjes së 58 personave me Covid-19 të një forme të moderuar ose të rëndë:60përqind e tyre kanë mbetur me dëme në mushkëri, 29 për qind me dëme në veshka, 26 për qind me dëme në zemër, dhe 10 për qind me dëme në mëlçi. Vështirësia në frymëmarrje u raportua nga 64 për qind e pacientëve, ndërsa lodhja kronike ishte e pranishme në 55 për qind të rasteve.
Ndjenja e lodhjes dhe rraskapitjes nuk është e pazakontë pas infeksioneve virale. Sindroma të ngjashme, janë raportuar edhe në rastin e sëmundjeve të tjera të tilla si Ebola apo virusi Epstein-Barr. Por studiuesit druhen se një nga efektet afatgjata të Covid-19, mund të jetë sindroma e lodhjes kronike, e karakterizuar nga një lodhje afatgjatë dhe paaftësuese, e cila përkeqësohet pas tendosjes mendore ose fizike.
Disa nga ish-pacientët me Covid-19 kanë pohuar se i është dashur dhe 1 orë vetëm për të bërë një dush. “Në fazën akute, virusi prek kryesisht sistemin e frymëmarrjes dhe atë kardiovaskular, si dhe shkakton një çrregullim serioz të sistemit të koagulimit të gjakut. Por veçanërisht në format më të rënda, ai mund të prekë praktikisht çdo organ dhe sistem të trupit tonë.
Prandaj mund të shkaktojë dëmtime të mëdha, duke shkaktuar inflamacion tek shumë organe, por edhe dëmtime të lokalizuara, në sistemin nervor, siç është për shembull humbja e shijes dhe nuhatjes”, shpjegon Andrea Antinori, drejtori i njësisë operative të Mungesës së Imunitetit Viral në Institutin Spallanzani në Romë.
Simptomat e post-Covidit janë aq të shumta dhe aq të ndryshme, sa që ekspertë spekulojnë se ai mund të jetë më shumë se një sindrom. Por studimet e kryera deri më tani, nuk lejojnë të sqarohet plotësisht ky aspekt. “Dy raporte të fundit nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), sugjerojnë që disa pacientë zhvillojnë sindromën inflamatore multisistemike”, shpjegon revista “New Scientist”.
Por për shkencëtarët, nuk është ende e qartë se kush ka më shumë të ngjarë që të preket nga “Covid-i i zgjatur në kohë”. Një numër faktorësh mund të kontribuojnë në përcaktimin e qëndrueshmërisë së simptomave në disa njerëz, nga çështjet gjenetike tek sëmundjet e mëparshme.
Pra kemi dëmin e drejtpërdrejtë të shkaktuar nga virusi, dhe atë anësor shkaktuar nga aktivizimi i sistemit imunitar, për t’iu kundërpërgjigjur sulmit viral. Efektet afatgjata të sëmundjes janë një kombinim i këtyre dy proceseve. Sipas disa studiuesve, virusi mund të fshihet në indet e caktuara, të tilla si ato të sistemit nervor, në sy ose në prostatë, duke shkaktuar një reagim imunitar që riaktivizohet në mënyrë të vazhdueshme.
Burimi i lajmit: https://www.internazionale.it/reportage/annalisa-camilli/2020/12/03/covid-lungo-effetti-post-covid-sindrome
Përshtatur nga TIRANA TODAY