Infektohet trajneri i njohur shqiptar, tronditet ekipi para ndeshjes me Tomorin

Koronavirusi futet edhe në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar, duke prekur këtë herë edhe skuadrën e Flamurtarit të Vlorës. Trajneri Dritan Resuli është infektuar me Covid-19, dhe pasi ka rezultuar pozitiv është karantinuar në banesë. Burime për “Panorama Sport” zbulojnë se trajneri Dritan Resuli ka shfaqur simptoma të koronavirusit, dhe pasi ka bërë tamponin një ditë më parë, sot ka ardhur përgjigjja.

Për rrjedhojë, klubi ka marrë menjëherë masa urgjente, teksa autoritetet shëndetësore në Vlorë kanë bërë sot tamponët për të gjithë lojtarët e ekipit të Flamurtarit, pjesëtarët e stafit dhe drejtuesit e klubit. Përgjigjet e testeve do të mësohen nesër, para ndeshjes me Tomorin dhe nëse ka një numër të lartë të prekurish sa u përket futbollistëve, rrezikohet zhvillimi i takimit. Këtë të shtunë, Flamurtari do të kërkojë fitoren e parë këtë sezon, në ndeshjen ndaj Tomorit të Beratit.